Berisha: Shqipëria po rrëshqet drejt autokracisë, integrimi në BE kërkon zgjedhje të lira

Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet e angazhuar për integrimin europian, por sipas tij, nevojiten reforma të thella, një qeveri teknike dhe garantim i standardeve demokratike.

21.05.2026. 20:58

Berisha: Shqipëria po rrëshqet drejt autokracisë, integrimi në BE kërkon zgjedhje të lira

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një tryeze të organizuar për rolin e grave në politikë dhe procesin e integrimit europian, deklaroi se Shqipëria po përballet me probleme të thella demokratike dhe rrezikon të rrëshkasë drejt autokracisë.

Berisha theksoi se integrimi në Bashkimin Europian mbetet prioritet kryesor i opozitës, por shtoi se ky proces rrezikohet nga mungesa e zgjedhjeve të lira dhe ndikimi i krimit të organizuar në politikë.

“Nëse shikoni zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, do të gjeni se kufiri mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake është zbehur ose zhdukur. Kjo do të thotë zgjedhje në një shtet-parti dhe këto nuk mund të konsiderohen zgjedhje të lira,” u shpreh Berisha.

Berisha ngriti shqetësime edhe për gjendjen ekonomike, duke përmendur zhvlerësimin e euros dhe efektet në biznes.

“Zhvlerësimi i euros në Shqipëri ka sjellë falimentime në sektorin eksportues dhe humbje vendesh pune,” deklaroi ai.

Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet e angazhuar për integrimin europian, por sipas tij, nevojiten reforma të thella, një qeveri teknike dhe garantim i standardeve demokratike.

Në fund, ai deklaroi se opozita do të vijojë bashkëpunimin me institucionet europiane dhe partnerët ndërkombëtarë për të adresuar, siç tha ai, problemet e demokracisë dhe zgjedhjeve në Shqipëri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)