“Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore!”. Kështu këmbënguli Donald Trump, teksa gjatë prezantimit të kreut të ri të EPA-s, autoritetit të mbrojtjes së mjedisit në SHBA, u ndal tek lufta në Lindjen e Mesme.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë duke mos përjashtuar mundësinë që SHBA-të të përdorin forcën për të ndaluar Teheranin theksoi se "ne ose do të sigurohemi që ata të mos kenë një armë bërthamore ose do të detyrohemi të marrim masa shumë drastike".
“Kur çështja të ngrihet me njerëzit e vendit tonë, të gjithë do të bien dakord se nuk mund ta lejojmë Iranin të pajiset me armë bërthamore”, deklaroi Presidenti amerikan.
Sa i përket uraniumit të pasuruar, Trump tha se “sapo ta kemi në dorë, ndoshta do ta shkatërrojmë, sepse nuk e duam”.
“Do të thoja se kjo është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër që kemi për të diskutuar dhe zakonisht lajmet e rreme domethënë mediat me lajme të rreme janë të pakta”, shtoi ai.
Presidenti amerikan pohoi se SHBA-të kanë kontroll absolut mbi Ngushticën e Hormuzit, megjithëse pak më vonë kërkoi që Irani... ta hapë Ngushticën.
Ndërkohë, në linjën e deklaratave të Trump, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio paralajmëroi nga Helsinborgu se një marrëveshje e mundshme diplomatike midis Amerikës dhe Iranit do të ishte praktikisht e pamundur nëse Teherani do të vendoste një sistem pagese në Ngushticën e Hormuzit.
Në të njëjtën kohë, Rubio shprehu shpresën se vizita e shefit të ushtrisë pakistaneze në Iran do të kontribuonte në uljen e tensioneve dhe në nxitjen e përpjekjeve diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit.
“Mendoj se pakistanezët do të shkojnë sot në Teheran. Shpresojmë që kjo do t’i çojë gjërat përpara”, u tha ai gazetarëve.
Me një ton më të ashpër, Rubio sulmoi vendet anëtare të NATO-s para nisjes për në ministerialin që po zhvillohet në Suedi, duke thënë se ato “refuzojnë të bëjnë diçka” për të mbështetur Shtetet e Bashkuara në konfliktin e tyre me Iranin.
Ai vuri në dukje se Presidenti Donald Trump “nuk po kërkon trupa apo avionë luftarakë”, por argumentoi se disa aleatë po shmangin çdo kontribut. “Kjo na ka shqetësuar shumë”, theksoi Rubio.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)