Një ngjarje tragjike ka tronditur Spanjën veriperëndimore, ku një vajzë vetëm dy vjeç humbi jetën pasi u harrua brenda makinës nga i ati për disa orë, në mes të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
Ngjarja ndodhi në qytetin Brión, në rajonin e Galicias. Sipas mediave spanjolle, babai i vajzës kishte dërguar fëmijën e madh në shkollë mëngjesin e së mërkurës dhe më pas kishte planifikuar të linte të voglën në çerdhe. Por, pas një telefonate që e shpërqendroi, ai shkoi direkt në punë, duke harruar vajzën në automjet.
Alarmi u dha rreth orës 15:00, kur nëna shkoi për të marrë vajzën në çerdhe dhe u informua se ajo nuk kishte shkuar fare atë mëngjes. Pasi kuptuan çfarë kishte ndodhur, prindërit njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës.
E mitura u transportua me urgjencë drejt një qendre shëndetësore në Bertamiráns, por mjekët konfirmuan se ajo kishte ndërruar jetë si pasojë e goditjes nga nxehtësia dhe arrestit kardiak.
Policia spanjolle ka nisur hetimet për rastin, ndërsa familja po merr ndihmë psikologjike.
Këshilli bashkiak i Brión shpalli dy ditë zie në nder të vogëlushes dhe njoftoi se do të mbahet edhe një minutë heshtje në kujtim të saj.
Ngjarja vjen në një moment kur Spanja po përballet me temperatura të pazakonta për muajin maj, që në disa zona pritet të arrijnë deri në 38 gradë Celsius. Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit mund të zgjasë deri në javën e ardhshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)