Pekini ka reaguar ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara pas ngritjes së akuzave penale ndaj ish-presidentit të Kubës, Raul Castro, duke i bërë thirrje Uashingtonit të ndalojë përdorimin e presionit dhe kërcënimeve ndaj Havanës.
Një gjykatë amerikane ngriti akuza një ditë më parë ndaj Kastros për përfshirje në ngjarjen e vitit 1996, kur dy avionë të një grupi opozitar kuban u rrëzuan, duke shkaktuar vdekjen e katër personave, përfshirë shtetas amerikanë. Castro, i cili në atë kohë mbante postin e ministrit të Mbrojtjes së Kubës, akuzohet për konspiracion dhe vrasje.
Lëvizja e SHBA-së është pjesë e një fushate më të gjerë presioni ndaj Kubës, të udhëhequr nga presidenti amerikan Donald Trump, e cila përfshin sanksione të reja dhe masa ekonomike që kanë ndikuar rëndë në situatën energjetike dhe ekonomike të vendit.
Në reagim, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, deklaroi se Kina kundërshton përdorimin e sistemit gjyqësor si mjet presioni dhe se SHBA duhet të ndalojë sanksionet dhe kërcënimet ndaj Kubës.
“Kina mbështet fuqishëm Kubën në mbrojtjen e sovranitetit dhe dinjitetit të saj kombëtar dhe kundërshton ndërhyrjet e jashtme”, u shpreh ai, sipas deklaratave zyrtare.
Nga ana e saj, Havana e ka cilësuar akuzën si një “manovër politike pa bazë ligjore”, duke e akuzuar Uashingtonin për përdorim të drejtësisë në funksion të presionit politik.
Çështja ka rritur tensionet diplomatike mes SHBA-së dhe Kubës, ndërsa Kina ka riafirmuar mbështetjen e saj të vazhdueshme për ishullin komunist, me të cilin ka zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe infrastrukturor në vitet e fundit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)