Dy shqiptarë hedhin Barin në kategorinë e tretë italiane

Südtirol rezistoi në sfidat “play-out”, te ekipi i vogël aktivizohen ish-mbrojtësi i Kombëtares, Frederic Veseli, si edhe sulmuesi 28-vjeçar me origjinë shqiptare, Silvio Merkaj.

23.05.2026. 09:59

Dy shqiptarë hedhin Barin në kategorinë e tretë italiane

Kriza e Barit në futbollin italian nuk ka fund. Skuadra e famshme nga jugu i Italisë ka zbritur zyrtarisht në Serie C, kategoria e tretë e futbollit përtej Adriatikut, pas përfundimit të sfidës dramatike “play-out” për mbijetesë kundër Südtirol.

Ndeshja e kthimit në stadiumin “Druso” përfundoi 0-0, i njëjti rezultat si takimi i parë, por skuadra nga Bolzano shpëtoi falë renditjes më të mirë në kampionat, duke e mbyllur sezonin në vendin e 16-të, një pikë mbi Barin. Te Südtirol aktivizohen ish-mbrojtësi i Kombëtares, Frederic Veseli, si edhe sulmuesi 28-vjeçar me origjinë shqiptare, Silvio Merkaj.

Ndërkohë, pjesë e Barit në këtë sezon zhgënjyes ka qenë edhe sulmuesi, Marvin Çuni, i cili ka luajtur një ndeshje edhe me Kombëtaren shqiptare. 24-vjeçari i rritur te Bayern Munich, ka qenë i huazuar nga rusët e Rubin Kazan. Ai luajti si zëvendësues, duke u aktivizuar në minutën e 84-rt, por pa arritur të lejë gjurmë.

Për Barin, sezoni mbyllet në mënyrën më të hidhur, me rikthimin në Serie C pas një kampionati të mbushur me zhgënjime. Ndërkohë, Südtirol i Veselit dhe Merkaj festoi qëndrimin në Serie B, pas një edicioni aspak të lehtë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)