Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Ukrainën për kryerjen e një “sulmi terrorist” ndaj një godine studentore në qytetin Starobilsk, në rajonin e Luhanskut, territor që ndodhet nën kontrollin rus.
Sipas autoriteteve ruse, sulmi ka shkaktuar vdekjen e të paktën 6 personave, ndërsa 39 të tjerë janë plagosur. Gjithashtu, raportohet se 15 persona rezultojnë ende të zhdukur nën rrënojat e ndërtesës së shembur.
Ministria e Jashtme ruse deklaroi se objekti i goditur ishte një konvikt i Universitetit Pedagogjik të Luhanskut, ku në momentin e sulmit ndodheshin 86 nxënës të moshës nga 14 deri në 18 vjeç.
Sipas Moskës, sulmi është kryer nga 4 dronë ukrainas dhe është cilësuar si një “akt barbar” ndaj civilëve. Putin tha se sulmi nuk ishte aksidental dhe la të kuptohet se bëhej fjalë për një goditje të qëllimshme ndaj objektivave civile.
Presidenti rus bëri të ditur se i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes të përgatisë opsione për kundërpërgjigje, ndërsa tensionet mes dy vendeve vijojnë të rriten.
Ndërkohë, Rusia ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar sulmin dhe pasojat e tij.
Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet ukrainase lidhur me akuzat e ngritura nga Moska.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)