Një kompani amerikane, “Colossal Biosciences”, ka njoftuar një arritje të rëndësishme në fushën e biologjisë dhe ruajtjes së specieve, pasi ka arritur të çelë 26 zogj të shëndetshëm duke përdorur një platformë të veçantë “vezësh artificiale”.
Sipas kompanisë, teknologjia është testuar në selinë e saj në Dallas dhe synon të imitojë kushtet natyrore të një veze reale, duke kontrolluar temperaturën, lagështinë dhe shkëmbimin e gazrave gjatë zhvillimit të embrionit. Qëllimi është të krijohen kushte sa më të afërta me natyrën, në mënyrë që zogjtë të zhvillohen normalisht.
Kjo metodë konsiderohet një hap i rëndësishëm në projektin ambicioz të kompanisë për “rikthimin në jetë” të specieve të zhdukura, përfshirë Moan gjigante të Ishullit Jugor të Zelandës së Re, një zog i madh që u zhduk rreth 500 vite më parë.
Sipas drejtuesve të projektit, embrionet zhvillohen brenda një strukture silikoni që funksionon si zëvendësim i lëvozhgës së vezës, duke lejuar monitorim të vazhdueshëm dhe kontroll të kushteve të rritjes. Procesi i zhvillimit për 26 zogjtë ka zgjatur rreth 21 ditë, një kohë e ngjashme me atë natyrore.
Kompania thekson se kjo teknologji mund të përdoret edhe për ruajtjen e specieve të rrezikuara, përpara se të aplikohet në projekte më të avancuara si rikthimi i Moas. Megjithatë, ekspertët thonë se sfida më e madhe mbetet rindërtimi i plotë i ADN-së së specieve të zhdukura dhe gjetja e mënyrave për t’i rikrijuar ato në mënyrë të qëndrueshme.
Moja gjigante, e cila dikur arrinte deri në 3.6 metra lartësi, konsiderohet një nga zogjtë më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë në Tokë dhe u zhduk kryesisht për shkak të gjuetisë nga njerëzit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)