“Shihemi në arbitrazh”, Pacolli i dërgon “selam” Ramës për aeroportin e Vlorës, le dhe një afat

MABCO deklaron se zotëron 98% të kuotave të kompanisë koncesionare VIA dhe se është investitori kryesor dhe garantues financiar i projektit.

22.05.2026. 21:43

“Shihemi në arbitrazh”, Pacolli i dërgon “selam” Ramës për aeroportin e Vlorës, le dhe një afat

Kompania “MABCO Constructions SA”, investitori kryesor i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ka paralajmëruar shtetin shqiptar se do t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar nëse deri më 28 maj nuk zgjidhet konflikti që lidhet me administrimin dhe aksesin në projekt.

Përmes një letre zyrtare drejtuar Kryeministrisë, Ministrisë së Infrastrukturës, Avokaturës së Shtetit dhe institucioneve të tjera, kompania e Behgjet Pacollit pretendon se prej datës 18 maj përfaqësuesve, inxhinierëve dhe nënkontraktorëve të saj u është ndaluar hyrja në kantierin e aeroportit.

MABCO deklaron se zotëron 98% të kuotave të kompanisë koncesionare VIA dhe se është investitori kryesor dhe garantues financiar i projektit. Sipas saj, kompania “2A Group”, e cila ka vetëm 2% të aksioneve, po tenton të marrë kontrollin faktik të aeroportit përmes një administrimi që MABCO e konsideron të paligjshëm dhe të kontestuar.

MABCO shpreh shqetësim edhe për bllokimin e pajisjeve të rëndësishme për certifikimin e aeroportit, përfshirë automjetet zjarrfikëse dhe pajisjet e sigurisë, si dhe kërkon kryerjen e një auditimi teknik ndërkombëtar për pistën dhe sistemet aeroportuale.

Sipas kompanisë, vlera ekonomike e projektit dhe investimeve të rrezikuara arrin deri në 300 milionë euro. Ajo pretendon se ka investuar mbi 90 milionë euro kapital dhe ka mbuluar financime e garanci të konsiderueshme për ndërtimin e aeroportit.

Nëse deri më 28 maj autoritetet shqiptare nuk garantojnë rikthimin e aksesit në kantier dhe zgjidhjen e konfliktit, kompania paralajmëron nisjen e procedurave të arbitrazhit ndërkombëtar sipas marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Zvicrës për mbrojtjen e investimeve.

Njoftimi i kompanisë MABCO

MABCO i kërkon shtetit shqiptar ndërhyrje urgjente për Aeroportin e Vlorës: afati i fundit 28 maj 2026, përpara arbitrazhit ndërkombëtar

MABCO Constructions SA i ka dërguar një letër zyrtare Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Avokaturës së Shtetit, Zyrës së Kryeministrit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, duke njoftuar se situata në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka kaluar nga paralajmërimet e përsëritura në përjashtim faktik të MABCO-s nga kantieri dhe nga kontrolli real i investimit të saj.

Në letër, MABCO thekson se vepron si zotëruese e 98% të kuotave të Vlora International Airport – VIA sh.p.k., si investitori kryesor, financuesi dhe garantuesi i projektit, dhe jo si kontraktor i zakonshëm. Kompania pretendon se 2A Group, ortak me 2% të kuotave, po tenton të marrë kontrollin faktik të projektit përmes një administrimi të kontestuar të VIA-s, të regjistruar në QKB, megjithëse sipas MABCO-s nuk ekziston asnjë transferim kuotash i paraqitur për regjistrim në QKB apo i miratuar nga MIE.

MABCO referon se më 14 maj 2026 administrimi i kontestuar i VIA-s lëshoi një njoftim për ndërprerjen e marrëdhënieve të ndërtimit, të cilin MABCO e refuzoi më 16 maj 2026. Më 17 maj u komunikua kufizimi i aksesit në kantier, ndërsa më 18 maj përfaqësuesve, inxhinierëve, specialistëve, punonjësve dhe nënkontraktorëve të MABCO-s iu ndalua fizikisht hyrja në kantier. Më 21 maj, sipas kompanisë, u lëshua një tjetër njoftim që synon ta paraqesë përjashtimin e MABCO-s si “refuzim për bashkëpunim” dhe të krijojë bazë për inventarizim ose marrje të njëanshme të punimeve, pajisjeve, dokumentacionit dhe materialeve teknike të MABCO-s.

Sipas MABCO-s, ky përjashtim nuk mbështetet në asnjë vendim gjyqësor të formës së prerë, në asnjë vendim të ligjshëm të Autoritetit Kontraktues dhe në asnjë akt të vlefshëm që do të justifikonte largimin e investitorit kryesor nga një projekt strategjik. Kompania pretendon gjithashtu se Policia e Shtetit është përdorur për zbatimin praktik të një vendimi privat të kontestuar, duke krijuar një situatë faktike në favor të 2A Group.

Në letër ngrihen edhe shqetësime për sigurinë dhe lirinë e lëvizjes së specialistëve ndërkombëtarë në zonën e akomodimit të kantierit, përfshirë specialistë kinezë, si dhe për bllokimin për më shumë se shtatë muaj të pajisjeve kritike për certifikimin, përfshirë automjete zjarrfikëse dhe pajisje X-Ray. MABCO kërkon që, përpara çdo hapi drejt certifikimit të aeroportit, të kryhet një auditim teknik i pavarur ndërkombëtar i pistës dhe sistemeve të fushës ajrore, përfshirë AGL, ALS, PAPI dhe sistemet përkatëse të sigurisë aeroportuale. MABCO njofton se, që prej shtatorit 2025, ka dërguar mbi 50 letra dhe njoftime formale institucioneve shqiptare, pa marrë përgjigje substanciale. Sipas kompanisë, veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Koncesionit, përfshirë nenet 11.5, 11.9, 13 dhe 18, si dhe të Traktatit Dypalësh të Investimeve Zvicër–Shqipëri.

Në aspektin ekonomik, MABCO deklaron se projekti është mbështetur nga mbi 90 milionë euro kapital, 6 milionë euro interesa të paguara mbi financimin, 10 milionë euro kontribute direkte të MABCO-s, 152 milionë euro ekspozim kolaterali dhe një garanci financiare me kërkesë të parë prej 72 milionë eurosh. Kompania vlerëson se vlera ekonomike e vënë në rrezik është në rendin 250–300 milionë euro.

Përmes letrës, MABCO i kërkon shtetit shqiptar që deri më 28 maj 2026 të garantojë akses të menjëhershëm dhe të mbrojtur në kantier për MABCO-n dhe stafin e saj, të ndalojë përdorimin e policisë për përjashtimin e investitorit kryesor, të sigurojë lirinë e lëvizjes dhe kushtet bazike për punonjësit dhe specialistët, të ruajë provat, të zhbllokojë pajisjet kritike në dogana, të mos njohë efektet e njoftimeve të kontestuara të datave 14 dhe 21 maj 2026, si dhe të organizojë një takim urgjent institucional me MIE, NjZP, Autoritetin e Aviacionit Civil, Albcontrol, Inxhinierin e Pavarur dhe BKT.

Në mungesë të përmbushjes së këtyre kërkesave deri më 28 maj 2026, MABCO paralajmëron nisjen e arbitrazhit ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë sipas Traktatit Dypalësh të Investimeve Zvicër–Shqipëri dhe ndjekjen e të gjitha mjeteve juridike të parashikuara në Marrëveshjen e Koncesionit dhe në ligj.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)