Tedi Papavrami dekorohet me 'Urdhrin Suprem të Shqiponjës', Rama: Je ylli i botës që ndriçon edhe për vendin

Rama e cilësoi Papavramin si një figurë të rrallë artistike dhe njerëzore, duke vënë në dukje jo vetëm talentin e tij si muzikant, por edhe integritetin dhe dimensionin e tij intelektual e shoqëror.

11.05.2026. 19:21

Tedi Papavrami dekorohet me 'Urdhrin Suprem të Shqiponjës', Rama: Je ylli i botës që ndriçon edhe për vendin

Në një ceremoni të zhvilluar sot, më 11 maj, violinisti i njohur shqiptar me karrierë ndërkombëtare, Tedi Papavrami, u dekorua me “Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, në emër të Presidentit të Republikës.

Në aktivitet ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, i cili mbajti një fjalim vlerësues për artistin, duke theksuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në Shqipëri dhe në skenat ndërkombëtare.

Rama e cilësoi Papavramin si një figurë të rrallë artistike dhe njerëzore, duke vënë në dukje jo vetëm talentin e tij si muzikant, por edhe integritetin dhe dimensionin e tij intelektual e shoqëror.

“Je një bashkëkohës, që është privilegj për të gjithë ne që të kemi. Në këtë vend janë dhënë 30 vite e kusur tituj e dekorata për dasma e koncerte, ndonjëherë dhe pa arsye. Të jesh i sigurt se kjo e jotja nuk është ajo histori. Ti jeton në Francë prej shumë vitesh, e di se çfarë do të thotë të vishesh me kalorësinë e Republikës Franceze. Këtë kalorësi e ke merituar. Ti je një prani bujare të qenit në radhë të parë një njeri shembullor, që do të ishte gjëja që do të donte ta prekte çdokush që ëndërron madhështinë në skenë. Madhështia e ngre dhe më lart njezërllëkun tënd. Jam shumë krenar që i vendos Tedi Papavramit yllin e Urdhrit Suprem. Ky Urdhër është për Tedin aktor, Tedin njeri model për shoqërinë shqiptare dhe më gjerë, për Tedin fenomen, për Tedin në shtegtim dhe gjithmonë mes nesh. Tedi është një muzikant-njeri, nuk është një njeri me instrument”, tha Rama.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri shtoi se e konsideron veten me fat që e ka njohur artistin.

“Unë e konsideroj veten me fat që të njoh. Të kam parë duke u rritur këmbëngulës dhe i paepur. Jeta jote ka qenë këmbëngulje dhe vetëm këmbëngulje. Ylli që merr sot është një yll për shembullin më shumë sesa për karrierën, është një yll që tregon se mund të largohesh nga vendi, por vendi yt nuk të harron, mund të bëhesh një yll për botën, por mund të ndriçosh dhe vendin tënd”, deklaroi Rama.

Nga ana e tij, Tedi Papavrami u shpreh i emocionuar për nderimin e marrë, duke rikthyer edhe kujtime nga fëmijëria dhe lidhjet e hershme me shefin e qeverisë.

“Sot në këtë ceremoni janë njerëzit më të afërm, më sjell ndërmend kujtimet e fëmijërisë. Janë miqtë e mi në fëmijëri. Një person nga fëmijëria ke qenë dhe vetë ti Edi. Të mbaj mend që ishe shembull për ne, ishe një mbrojtës ndaj nesh, që ishin më të vegjël. Pavarësisht gjithçkaje, unë nuk e kam harruar Shqipërinë. Ju mbetet thjesht t’ju falënderoj, i dashur Edi, zoti kryeministër. Faleminderit shumë që erdhët në këtë moment të veçantë për mua”, u shpreh Papavrami.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)