Skllavëri dhe martesa të detyruara, policia britanike bastis sektin islamik në ish-jetimore

Gjatë operacionit janë arrestuar disa persona me shtetësi të ndryshme, ndërsa mbi 50 fëmijë që jetonin aty dhe ndiqnin mësimin në shtëpi janë marrë në kujdes nga autoritetet.

Burimi: Daily Mail

29.04.2026. 15:26

Skllavëri dhe martesa të detyruara, policia britanike bastis sektin islamik në ish-jetimore

Një operacion i madh policor është zhvilluar në Britaninë e Madhe, ku qindra oficerë kanë bastisur një sekt fetar të vendosur në një ish-jetimore në Cheshire, pas akuzave të rënda për përdhunim, skllavëri moderne dhe martesa të detyruara.

Rreth 500 efektivë nga Cheshire Police dhe forca të tjera kanë ndërhyrë në godinën e njohur si “Webb House” në qytetin Crewe, ku vepron grupi “Ahmadi Religion of Peace and Light”.

Gjatë operacionit janë arrestuar disa persona me shtetësi të ndryshme, ndërsa mbi 50 fëmijë që jetonin aty dhe ndiqnin mësimin në shtëpi janë marrë në kujdes nga autoritetet përkatëse.

Hetimet lidhen me akuza serioze, përfshirë abuzim seksual, skllavëri moderne dhe martesa të detyruara. Sipas policisë, të gjitha akuzat deri tani lidhen me një viktimë, një grua që ka qenë pjesë e grupit në vitin 2023.

Autoritetet kanë sqaruar se hetimi nuk ka në shënjestër besimin fetar në vetvete, por individë të dyshuar për vepra penale. Ndërkohë, oficerë të specializuar po intervistojnë persona të mundshëm të prekur dhe po kryejnë kontrolle të detajuara në ndërtesë.

Ish-anëtarë të grupit kanë deklaruar më herët për mediat se janë ndjerë të detyruar të shkëpusin lidhjet me familjen dhe të kontribuojnë financiarisht duke shitur pasuritë e tyre, pretendime që drejtuesit e grupit i mohojnë.

Policia ka theksuar se hetimet janë ende në zhvillim dhe se do të vazhdohet puna për të garantuar drejtësi dhe mbrojtje për të gjithë personat e përfshirë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)