Departamenti i Shtetit në SHBA ka bërë me dije se gjatë këtij viti do të lëshohen disa pasaporta speciale me një dizajn të ri, në kuadër të 250-vjetorit të pavarësisë së vendit.
Këto pasaporta do të përfshijnë një imazh të presidentit Donald Trump në pjesën e brendshme të kopertinës.
Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, pasaportat përkujtimore do të kenë elemente artistike të personalizuara dhe imazhe të përmirësuara, ndërkohë që do të ruajnë të njëjtat standarde të larta sigurie që karakterizojnë dokumentet amerikane.
Dizajni i ri përfshin figurën e Trump të vendosur mbi Deklaratën e Pavarësisë dhe flamurin amerikan, si dhe nënshkrimin e tij në ngjyrë ari. Një tjetër faqe e pasaportës do të shfaqë një pikturë të njohur të Etërve Themelues gjatë nënshkrimit të dokumentit historik.
Kjo pasaportë speciale do të shpërndahet fillimisht nga Agjencia e Pasaportave në Uashington dhe do të jetë në dispozicion për një periudhë të kufizuar, ndërsa në aplikimet online dhe në vende të tjera do të vazhdojë përdorimi i dizajnit aktual.
Shtëpia e Bardhë e ka përshëndetur këtë iniciativë, duke e cilësuar si një mënyrë shtesë për të përfshirë qytetarët në festimet e mëdha të 250-vjetorit të SHBA-së dhe për të nxitur ndjenjën e patriotizmit.
Ndërkohë, kjo nuk është masa e vetme simbolike. Figura dhe nënshkrimi i Trump pritet të shtohen edhe në dollarë dhe monedha amerikane, një veprim i pazakontë pasi tradicionalisht në kartëmonedha shfaqen vetëm nënshkrimet e zyrtarëve financiarë dhe jo të presidentit në detyrë.
Gjithashtu, në kuadër të këtyre ndryshimeve, emri dhe imazhi i presidentit janë shfaqur edhe në institucione të ndryshme federale, duke përfshirë ndërtesa publike dhe departamente qeveritare.
Këto zhvillime kanë ngjallur interes dhe diskutime në SHBA, pasi përfaqësojnë një qasje të re në mënyrën se si përkujtohet historia dhe simbolika kombëtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)