Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë një deklaratë të fortë në Parlamentin Evropian lidhur me krizën energjetike dhe pasojat e konflikteve ndërkombëtare mbi ekonominë e Bashkimit Evropian.
Duke folur në seancën plenare të Europarlamentit, ajo theksoi se ndihmat për përballimin e rritjes së çmimeve të energjisë duhet të jenë të mirë-targetuara, duke u fokusuar vetëm te familjet dhe sektorët më të prekshëm.
Sipas saj, nga krizat e mëparshme është mësuar se masat e përgjithshme dhe jo të drejtuara mirë mund të rrisin konsumin e gazit dhe naftës, duke e përkeqësuar situatën. Ajo shtoi se në krizën e fundit energjetike, vetëm një pjesë e vogël e ndihmave u drejtua realisht te ata që kishin më shumë nevojë, ndërsa qindra miliarda euro u shpenzuan në mënyrë jo të synuar, duke rënduar buxhetet e shteteve anëtare.
Në një pjesë tjetër të fjalës së saj, von der Leyen paralajmëroi për ndikimin e vazhdueshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se ai po i kushton Bashkimit Evropian rreth 500 milionë euro në ditë për importin e karburanteve fosile.
Sipas saj, gjatë vetëm 60 ditëve të konfliktit, shpenzimet për importin e energjisë janë rritur me më shumë se 27 miliardë euro. Ajo theksoi se kjo situatë tregon qartë nevojën për uljen e varësisë nga energjitë fosile të importuara dhe përshpejtimin e kalimit drejt energjisë së pastër dhe të prodhuar brenda BE-së.
“Duhet të përballemi me realitetin e vështirë: pasojat e këtij konflikti mund të zgjasin me muaj apo edhe vite”, ka deklaruar ajo, duke kërkuar koordinim më të fortë mes vendeve anëtare të BE-së për të përballuar sfidat energjetike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)