“10 të arrestuar në një skemë prej 50 milionë euro”, Europol: Shkatërrohen call center për mashtrime në Tiranë

Hetimi tregoi se viktimat në vende të ndryshme të Europës dhe botës, përfshirë Itali, Gjermani, Greqi, Spanjë, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar, janë joshur përmes reklamave të rreme për investime fitimprurëse në internet.

Burimi: Europol

29.04.2026. 22:22

“10 të arrestuar në një skemë prej 50 milionë euro”, Europol: Shkatërrohen call center për mashtrime në Tiranë

Europol i ka bërë jehonë goditjeve të mashtrimeve online, me bazë në Tiranë dhe që mashtronin qytetarë të Bashkimit Europian. Sipas Agjencisë së Bashkimit Europian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit, një rrjet i madh kriminal që operonte mashtrime online investimesh është goditur pas një hetimi ndërkombëtar, duke çuar në arrestimin e 10 personave dhe sekuestrimin e qindra pajisjeve dhe gati 900 mijë euro cash.

Operacioni i përbashkët mes autoriteteve të Austrisë dhe Shqipërisë, me mbështetjen e Europol dhe Eurojust, ka çuar në shkatërrimin e një rrjeti kriminal të dyshuar për mashtrime online me vlerë të paktën 50 milionë euro. Sipas hetuesve, rrjeti operonte përmes disa call center në Tiranë, të organizuar në mënyrë profesionale dhe me strukturë të ngjashme me kompani reale, me ndarje rolesh dhe hierarki të qartë.

Foto: Europol

Gjatë aksionit të koordinuar më 17 prill 2026, u arrestuan 10 persona, u kontrolluan disa ambiente dhe u sekuestruan rreth 891,735 euro cash, si dhe qindra pajisje elektronike, përfshirë kompjuterë, telefona dhe laptopë. Hetimi tregon se viktimat në vende të ndryshme të Europës dhe botës, përfshirë Itali, Gjermani, Greqi, Spanjë, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar, janë joshur përmes reklamave të rreme për investime fitimprurëse në internet.

Pas regjistrimit në platforma të falsifikuara, viktimat kontaktoheshin nga persona që hiqeshin si këshilltarë investimesh, të cilët ushtronin presion psikologjik për t’i bindur të investonin më shumë para. Në realitet, fondet nuk investoheshin, por zhdukeshin në një skemë ndërkombëtare pastrimi parash.

Sipas hetuesve, operatorët në call center punonin në grupe të specializuara sipas gjuhëve, përfshirë gjermanisht, anglisht, italisht, greqisht dhe spanjisht, për të krijuar besim te viktimat. Rrjeti kishte deri në 450 punonjës të ndarë në sektorë të ndryshëm, përfshirë marketing, financë, IT dhe menaxhim. Punonjësit paguheshin me rreth 800 euro në muaj plus komisione.

Foto: Europol

Hetimi, i nisur fillimisht nga autoritetet austriake në vitin 2023, u zgjerua më pas në bashkëpunim me Shqipërinë përmes shkëmbimit të informacionit për IP-të e dyshuara dhe u finalizua me ndërhyrjen e përbashkët policore. Autoritetet paralajmërojnë se analizimi i pajisjeve të sekuestruara mund të zbulojë lidhje të tjera ndërkombëtare të këtij rrjeti mashtrimi online.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)