Ende nuk ka tym të bardhë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për zgjidhjen e ngërçit për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, dështimi i të cilit e çon vendin në zgjedhje të parakohshme.
Seanca e Kuvendit nisi me një orë vonesë nga sa ishte parashikuar dhe menjëherë kryetarja Albulena Haxhiu pasi përsëriti thirrjen ndaj opozitës që të marrë pjesë vendosi ta shtyjë mbajtjen e saj në orën 14:00.
Sipas Haxhiut, deputetët e opozitës duhet të ushtrojnë detyrën e tyre Kushtetuese dhe qytetarët që i kanë votuar.
“Deputetët duhet të ushtrojnë detyrën e tyre sipas Kushtetutës. Të 120 deputetët janë të obliguar të jenë të pranishëm, kjo edhe për shkak të qytetarëve që i votuan. Zgjedhja e presidentit është me një rëndësi të madhe dhe deputetët duhet të jenë në Kuvend, vetëm në rast se kërkojnë leje. Kam vetëm një kërkesë për mungesë në seancë nga një deputete që nuk vjen për arsye shëndetësore. Ne nuk jemi në një rrethanë ku vihet në pikëpyetje legjitimiteti. Opozita të vijë në këtë seancë. Dhe për t’i dhënë mundësi opozitës pas këtyre raporteve të lexuara, po e vazhdojmë këtë seancë në orën 14:00”, tha Haxhiu.
Në sallën e Kuvendit para nisjes së seancës ishte dhe kreu i AAK, Ramush Haradinaj, partia e të cilit ka 6 deputetë. Ish-kryeministri dënoi seancën e djeshme të Kuvendit ku u votuar për dy nga kandidaturat e reja duke e cilësuar atë antikushtetuese pasi nuk kishte kuorum.
“Votimi pa 2/3, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, është shkelje e rëndë, drejtim i gabuar, drejtim i rrezikshëm që ka marrë vendi. Unë edhe një herë i bëj thirrje u.d. të presidentes, kryetares së Kuvendit, kryetarit të Qeverisë që të ndalen, të mos vazhdojnë në këtë drejtim të rrezikshëm. Nëse shkojnë në këtë rrugë, nuk na lënë rrugë tjetër pos që të vihemi në mbrojtje të Kushtetutës”, tha kryetari i AAK-së.
Mbrëmjen e kaluar Vetëvendosje tërhoqi dy kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe propozoi dy emra të rinj ato të Feride Rushitit dhe Hatixhe Hoxhës nga shoqëria civile, por as ato nuk ndryshuan mendjen e partive opozita.
Një raund i parë votimi u mbajt më pas ku Ferite Rushiti mori 63 vota teksa kandidatja tjetër asnjë.
Pas dështimit të seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar listën me 15 nënshkrime të deputetëve të saj në mbështetje të kandidaturës së Vjosa Osmanit për një mandat të dytë në krye të presidencës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se këto nënshkrime garantojnë 15 vota për Osmanin në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se partia ka përmbushur detyrimet e saj kushtetuese në këtë proces, për të cilat u akuzua më herët nga mazhoranca dhe vetë Albin Kurti.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)