Raundi i parë i votimit në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës ka përfunduar pa një rezultat përfundimtar.
Në seancën plenare, deputetët e mazhorancës votuan për kandidaten e propozuar nga Vetëvendosje, Feride Rushiti, e cila arriti të sigurojë 63 vota. Në votim morën pjesë 64 deputetë, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Ndërkohë, kandidatja tjetër e propozuar, Hatixhe Hoxha, nuk arriti të marrë asnjë votë në këtë raund.
Për shkak të mungesës së votave të nevojshme për zgjedhje, seanca u shty për ditën e nesërme në orën 10:00, kur pritet të zhvillohet raundi i radhës i votimit.
Feride Rushiti është një figurë e njohur në fushën e të drejtave të njeriut, si themeluese dhe drejtuese e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Organizata e saj është angazhuar prej vitesh në mbështetjen e viktimave dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Në vitin 2025, ajo u nominua për Çmimin Nobel për Paqe, ndërsa më herët, në vitin 2018, është nderuar me Çmimin për Guximin e Gruas, për kontributin e saj në mbrojtjen e të drejtave dhe rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës.
Procesi i votimit pritet të vijojë nesër, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Kuvendi do të arrijë të zgjedhë kreun e ri të shtetit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)