Vetëvendosja propozon 2 gra për presidente të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar dy kandidaturat e saj për postin e presidentit të Kosovës, duke propozuar figura të njohura nga fusha e të drejtave të njeriut dhe angazhimit shoqëror.

27.04.2026. 20:36

Vetëvendosja propozon 2 gra për presidente të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar dy kandidaturat e saj për postin e presidentit të Kosovës, duke propozuar figura të njohura nga fusha e të drejtave të njeriut dhe angazhimit shoqëror.

Emrat e propozuar janë Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, të cilat pritet të votohen në Kuvendin e Kosovës.

Feride Rushiti njihet si themeluese dhe drejtuese e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, një organizatë që ajo e ngriti në vitin 1999 për të ofruar trajtim dhe mbështetje për viktimat e luftës në Kosovë. Qendra që ajo drejton është angazhuar gjithashtu në promovimin e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër keqtrajtimit. Në vitin 2025, Rushiti u nominua për Çmimin Nobel për Paqe, ndërsa më herët, në vitin 2018, është nderuar me Çmimin për Guximin e Gruas nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së.

Ndërkohë, Hatixhe Hoxha është një tjetër figurë e njohur në angazhimin social, aktualisht drejtuese e shoqatës “Autizmi”, e cila punon për ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e personave me autizëm në shoqëri. Ajo ka pasur më parë përvojë politike si deputete e Kuvendit të Kosovës për dy mandate deri në vitin 2007, ndërsa më vonë iu bashkua Vetëvendosjes, me të cilën ka kandiduar sërish për deputete. Hoxha ka kontribuar edhe në arsim, duke qenë ligjëruese në Universitetin e Prishtinës.

Me këto dy kandidatura, Vetëvendosje sjell në garë dy profile me përvojë në çështje sociale dhe të drejtave të njeriut, ndërsa procesi i zgjedhjes së presidentit pritet të zhvillohet në Kuvend.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)