Nuk ka president, “tym i zi” nga Kuvendi, Kosova shkon në zgjedhje

Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja, pasi Kuvendi dështoi mesnatën e djeshme të zgjedhë presidentin e ri të vendit brenda afatit Kushtetues.

29.04.2026. 07:09

Nuk ka president, “tym i zi” nga Kuvendi, Kosova shkon në zgjedhje

Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Kriza politike u thellua pas disa tentativave të pasuksesshme për zgjedhjen e presidentit, të cilat u shoqëruan me bojkot nga partitë opozitare. Lëvizja Vetëvendosje, si partia në pushtet, nuk arriti të sigurojë kuorumin e nevojshëm në Kuvend, pasi opozita refuzoi të marrë pjesë në seancat e votimit.

Gjatë procesit, LVV ndryshoi disa herë kandidatët për president, duke propozuar fillimisht Glauk Konjufcën dhe Fatime Mulhaxha Kollçakun dhe më pas Feride Rushitin, por pa arritur konsensus politik.

Opozita i kundërshtoi këto kandidatura, duke akuzuar shumicën për shkelje kushtetuese dhe përpjekje për të kontrolluar institucionet kryesore të shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se kishte bërë përpjekje për marrëveshje me partitë opozitare, përfshirë oferta për bashkëqeverisje apo poste institucionale, por këto u refuzuan. Nga ana tjetër, opozita e cilësoi qasjen e tij si joserioze dhe të papranueshme.

Pas përfundimit të mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani më 4 prill, detyrën e ushtrueses së presidentit e mori kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para, ose me 61 vota në rundin e tretë, por kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë për të zhvilluar votimin, një kusht që nuk u përmbush.

Pas kësaj situate, vendi hyn në një proces të ri zgjedhor, ndërsa partitë politike pritet të intensifikojnë përgatitjet për fushatën dhe garën elektorale.

Kryeministri Kurti i shfrytëzoi minutat e fundit përpara mbylljes së afatit për të sulmuar opozitën dhe për të nisur fushatën elektorale, duke iu kërkuar qytetarëve që të heqin dorë nga subjektet bojkotuese që prej muajsh tashmë po mbajnë të bllokuar vendin.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)