Një ndërhyrje e shpejtë e Policisë ka parandaluar vjedhjen e një automjeti në Dhërmi, ndërsa dy të rinj janë vënë në pranga pas një ndjekjeje që përfundoi në Vlorë.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë u vunë në lëvizje menjëherë pasi morën informacion për vjedhjen e një mjeti tip “Land Rover”. Falë reagimit të shpejtë, u bë i mundur lokalizimi dhe ndalimi i automjetit, ndërsa drejtuesja nuk iu bind urdhrit për ndalim dhe, gjatë përpjekjes për t’u larguar, shkaktoi dëmtime në mjet.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan një 25-vjeçar nga Durrësi dhe një 17-vjeçare, të dy të dyshuar për “vjedhje të mbetur në tentativë” në bashkëpunim. 25-vjeçari akuzohet gjithashtu për “mosbindje ndaj urdhrit të Policisë” dhe “largim nga vendi i aksidentit”, ndërsa e mitura për “drejtim të parregullt mjeti”, “shkatërrim prone” dhe “mosbindje ndaj Policisë”.
Hetimet tregojnë se dy të rinjtë kishin shkuar në Dhërmi me një automjet tjetër dhe, duke përfituar nga mungesa e pronarit, 17-vjeçarja kishte marrë “Land Rover”-in pa leje. Automjeti tjetër u përplas në Palasë dhe u braktis.
Policia sekuestroi të dy mjetet, ndërsa çështja i kaloi Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)