Një shtetas rus do të përballet me drejtësinë shqiptare pas një kërcënimi serioz të bërë ndaj Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, “Nënë Tereza”. SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë 44-vjeçarin Vladislav Urban, i cili akuzohet për kërcënim me qëllime terroriste.
Sipas autoriteteve, në fillim të vitit 2023 ai kishte dërguar një mesazh elektronik ku paralajmëronte shpërthim me bombë, duke e lidhur kërkesën e tij me qëndrimin e Shqipërisë ndaj Kosovës. I akuzuari dërgoi e-mail në adresën e Shefit Operacional të Rinasit. Në tekstin e formuluar, ai kërcënonte me shpërthimin e një bombe nëse qeveria Shqiptare nuk njeh Kosovën si Serbi.
Në përmbajtjen e mesazhit, ai pretendonte gjithashtu se kishte rrëmbyer dy shtetas shqiptarë, por hetimet e kryera në bashkëpunim me autoritetet greke rrëzuan këtë pretendim. Sipas prokurorisë, 44-vjeçari i cili jetonte në Selanik, rezulton të ketë pasur edhe raste të tjera të ngjashme me kërcënime përmes e-mailit. Tashmë çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata, ku ndaj tij rëndojnë akuza serioze që lidhen me sigurinë publike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)