Berisha pa rivalë për kreun e PD-së, skualifikohen Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj

Emra të tjerë të përmendur në diskutimet politike si Ervin Salianji, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu nuk janë marrë në shqyrtim nga komisioni, me argumentin se nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike.

01.05.2026. 14:19

Berisha pa rivalë për kreun e PD-së, skualifikohen Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj

Sali Berisha nuk do të ketë rivalë në garën për kreun e Partisë Demokratike. Gara për drejtimin e PD-së ka hyrë në fazën përfundimtare, pasi komisioni i brendshëm i zgjedhjeve (KOKOE) ka skualifikuar edhe dy kandidatët e tjerë, duke lënë ish-kryeministrin si të vetmin emër në dispozicion për kryesimin e partisë.

Sipas dokumentit të publikuar nga selia blu, as kandidatët Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj nuk janë kualifikuar pasi nuk kanë plotësuar kriteret e përcaktuara për kandidim. Vendimi argumenton se të dy nuk përmbushin standardet e kërkuara për profil të lartë politik dhe publik.

Me këtë vendim, zgjedhjet e brendshme të PD-së pritet të marrin formën e një procesi konfirmues për Sali Berishën në krye të partisë. Ndërkohë, emra të tjerë të përmendur në diskutimet politike si Ervin Salianji, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu nuk janë marrë në shqyrtim nga komisioni, me argumentin se nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike dhe për këtë arsye nuk kanë të drejtë kandidimi.

Foto ilustruese

Procesi zgjedhor për kreun e PD-së është parashikuar të zhvillohet më 23 maj, ndërsa më 30 maj do të mblidhet Kuvendi Kombëtar i partisë. Ky forum i lartë pritet të miratojë ndryshimet statutore dhe të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar të PD-së.

Një grup pune i kryesuar nga Gazment Bardhi është mbledhur në selinë e PD-së dhe ka nisur diskutimet për ndryshimet në statut. Sipas burimeve, nuk priten ndryshime që prekin rolin e kryetarit të partisë, por fokusi kryesor do të jetë në riorganizimin e strukturave drejtuese dhe funksionimin e brendshëm të partisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)