Fundjavë e gjatë dhe me kohë të mirë për udhëtime, policia intensifikon kontrollet

Gjatë fundjavës intensifikohet puna në terren për policinë e shtetit e cila shton kontrollet në akset rrugore. Janë intensifikuar monitorimet me mjete inteligjente në të gjithë vendin.

01.05.2026. 11:08

Fundjavë e gjatë dhe me kohë të mirë për udhëtime, policia intensifikon kontrollet

Gjatë fundjavës intensifikohet puna në terren për policinë e shtetit e cila shton kontrollet në akset rrugore. 

Janë intensifikuar monitorimet me mjete inteligjente në të gjithë vendin, me objektiv rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, veçanërisht gjatë fundjavës, në akset nacionale drejt zonave turistike dhe bregdetare, pasi rritet fluksi i lëvizjes së automjeteve.

Gjatë javës së fundit, në të gjithë vendin, janë vendosur 26116 masa administrative për shkelje të ndryshme, si: mospërdorim i kaskës mbrojtëse, mosvendosje e rripit të sigurimit, përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit, parakalime të gabuara, drejtim i mjetit nën efektin e alkoolit, për zhurma apo manovra të rrezikshme me automjet dhe shkelje të tjera.

Gjithashtu, janë arrestuar 48 drejtues mjetesh, nga të cilët 26 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 22 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Monitorim intensiv është ushtruar edhe në qendrat e banuara, për parkimet e gabuara që pengojnë lëvizjen e lirë të mjeteve të emergjencës, krijojnë fluks në trafik apo pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve në trotuare. 

Në këtë kuadër, janë zhvendosur me mjetet ngritëse (karrotrec), në kryeqytet, 258 automjete të parkuara në korsi të dedikuara, në trotuare apo në vende ku ndalohet parkimi.

Ndërkohë, në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë, shërbimet e Policisë së Rendit dhe asaj Kriminale, bazuar edhe në inteligjencën informative, vijojnë angazhimin maksimal në terren për përmbushjen e objektivave madhorë, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e paligjshmërive.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)