Policia e Fierit ka vënë në pranga dy të rinj në momentin që do të shisnin lëndën narkotike. Policia thotë se ata siguronin lëndë narkotike në sasi të konsiderueshme, të cilën më pas e ndanin në doza dhe e përgatisnin për shitje në zona të ndryshme.
NJOFTIMI I POLICISE
Shpërndanin lëndë narkotike kokainë e kanabis, kapen dhe vihen në pranga dy shtetas në momentin që do të shisnin lëndët narkotike.
Sekuestrohet kokainë dhe kanabis, e ndarë në qindra doza, gati për shitje.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Operacionale”, në vijim të kontrolleve intensive për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Flagranca”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit T. F., 26 vjeç, dhe A. H., 29 vjeç, të dy banues në fshatin Grabian, Divjakë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas siguronin lëndë narkotike në sasi të konsiderueshme, të cilën më pas e ndanin në doza dhe e përgatisnin për shitje në zona të ndryshme.
Shërbimet e Policisë, pas sigurimit të informacionit, organizuan dhe finalizuan ndërhyrjen në momentin që këta shtetas po lëviznin me automjet në fshatin Grabian, duke i kapur në flagrancë me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë të ndarë në doza, të cilat do t’i shisnin në zona të ndryshme.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesa u gjetën dhe u sekuestruan dhjetëra doza të tjera lënde narkotike (kokainë dhe kanabis), të cilat u morën në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e përdorur, një grirëse për përpunimin e lëndës narkotike, një peshore elektronike dhe 3 aparate celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)