Trump, 60 ditë luftë në Iran: Pse afati është i rëndësishëm dhe çfarë mund të ndodhë

Sot përfundon afati 60-ditor i parashikuar nga ligji amerikan, brenda të cilit presidenti duhet të njoftojë Kongresin për një operacion ushtarak dhe të marrë miratimin e tij për vazhdimin e luftës.

01.05.2026. 13:04

Trump, 60 ditë luftë në Iran: Pse afati është i rëndësishëm dhe çfarë mund të ndodhë

Kjo e premte, 1 maj 2026 është një datë kyçe për Shtetet e Bashkuara: sot përfundon afati 60-ditor i parashikuar nga ligji amerikan, brenda të cilit presidenti duhet të njoftojë Kongresin për një operacion ushtarak dhe të marrë miratimin e tij për vazhdimin e luftës. Edhe pse sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit nisën më 28 shkurt, Donald Trump e njoftoi zyrtarisht Kongresin më 2 mars.

Për këtë arsye, numërimi i 60 ditëve nis nga ajo datë dhe skadon sot. Ndërsa republikanët pretendojnë se në këtë rast nuk është e nevojshme autorizimi i Kongresit, demokratët po shqyrtojnë mundësinë që të padisin presidentin nëse lufta vazhdon pa miratim.

Afati i 60 ditëve

1 maji 2026 shënon fundin e periudhës ligjore prej 60 ditësh që parashikon “War Powers Act” (Ligji për Kompetencat e Luftës) i vitit 1973, i cili kufizon ndërhyrjet ushtarake pa aprovimin e Kongresit.

Çfarë thotë ligji amerikan

Sipas “War Powers Act”, presidenti duhet t’i japë fund operacioneve ushtarake pas 60 ditësh, përveç rasteve kur: Kongresi shpall luftë ose miraton një ligj që autorizon përdorimin e forcës. Ligji parashikon edhe një zgjatje të vetme prej 30 ditësh, por vetëm nëse presidenti deklaron me shkrim se nevojitet më shumë kohë për të garantuar tërheqjen e sigurt të trupave amerikane.

Konflikti me Iranin

Deri tani, Kongresi nuk ka miratuar asnjë autorizim për përdorimin e forcës kundër Iranit dhe Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë sinjale publike se do të kërkojë një miratim para skadimit të afatit. Operacioni ushtarak amerikan nisi më 28 shkurt dhe arriti 60 ditët më 29 prill. Por, Trump ka kohë deri sot, sepse njoftimi zyrtar në Kongres u bë më 2 mars.

Qëndrimi i Shtëpisë së Bardhë

Administrata Trump nuk duket e gatshme të kërkojë autorizim. Sipas CBS, janë zhvilluar kontakte me Kongresin për të diskutuar mundësinë e një autorizimi, por Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson deklaroi se nuk është e nevojshme, sepse “SHBA nuk është në luftë”. Edhe Trump ka përsëritur së fundmi: “Është një operacion ushtarak. Nuk e quaj luftë”.

Qëndrimi i Pentagonit

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka mbështetur të njëjtën linjë, duke thënë se armëpushimi aktual e ndalon ose e ndërpret numërimin e 60 ditëve. Gjatë dëshmisë së tij të parë në Kongres që nga fillimi i konfliktit, Hegseth mbrojti fuqishëm operacionin “Epic Fury”, duke thënë se deri tani ka kushtuar rreth 25 miliardë dollarë, pa dhënë një shifër përfundimtare. Ai u përgjigj me tone të ashpra: “Sa vlen të garantojmë që Irani të mos marrë kurrë armë bërthamore?”.

Demokratët gati për padi

Nëse Trump vazhdon operacionet pa autorizimin e Kongresit, demokratët janë të gatshëm të reagojnë. Sipas revistës Time, disa burime kanë bërë të ditur se demokratët po shqyrtojnë një padi kundër presidentit, në rast se lufta vazhdon pas skadimit të afatit ligjor.

Rreziku i një përplasjeje kushtetuese

Ky zhvillim mund të çojë në një përplasje të fortë institucionale mbi kompetencat e presidentit për të bërë luftë pa miratimin e Kongresit. Ndërkohë, Republikanët kanë bllokuar për javë me radhë përpjekjet e demokratëve për të ndalur luftën ose për të detyruar një votim formal.

Trump: “Stuhia po vjen”

Presidenti Trump, ndërkohë, vazhdon të lërë të hapura të gjitha opsionet, përfshirë rifillimin e luftimeve. Në një postim në Truth Social ai shkroi: “Stuhia po vjen”. Më pas deklaroi se Irani “po vdes” për të arritur një marrëveshje, por përsëriti se Teherani nuk mund të ketë armë bërthamore. Trump ka mbledhur gjithashtu komandantët ushtarakë në Shtëpinë e Bardhë, në pritje të një propozimi të ri paqeje nga Irani.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)