Tërmeti që ka përfshirë futbollin italian vazhdon të thellohet, ndërsa në qendër të polemikave ka përfunduar edhe emri i një drejtuesi të Interit. Në fokus të hetimeve është arbitri Daniele Rocchi, i cili akuzohet për përfshirje në mashtrim sportiv së bashku me persona të tjerë.
Një nga episodet kyçe lidhet me një takim të zhvilluar më 2 prill 2025 në stadiumin “San Siro”, në prag të gjysmëfinales së parë të Kupës së Italisë mes Interit dhe Milanit. Sipas akuzave, gjatë kësaj periudhe janë ndikuar emërimet e arbitrave për ndeshje të rëndësishme. Konkretisht, arbitri Colombo konsiderohej “i preferuar”, ndërsa Doveri “i papëlqyer” nga Interi, me qëllim që ky i fundit të mos drejtonte një finale të mundshme.
Sipas përgjimeve, Rocchi dyshohet se ka qenë në kontakt telefonik me përfaqësues të sektorit të arbitrimit, ku është përmendur edhe emri i Giorgio Schenone, drejtues në klubin zikaltër. Ai mban rolin e “menaxherit të klubit për arbitrat”, pra personi që koordinon marrëdhëniet mes klubit dhe arbitrave për çdo ndeshje.
Hetuesit dyshojnë se emërimet e arbitrave për sfida si Bologna-Inter dhe Milan-Inter mund të jenë ndikuar nga preferencat e klubit. Megjithatë, deri më tani Interi dhe drejtuesit e tij nuk janë nën hetim penal. Duhet theksuar se mungesa e një hetimi penal nuk përjashton ndërhyrjen e drejtësisë sportive, e cila operon sipas rregullave të veta dhe mund të veprojë edhe mbi bazën e dyshimeve. Për këtë arsye, situata mbetet e hapur dhe pritet të shihet nëse organet sportive do të ndërhyjnë.
Sa i përket Schenone, ai ka një të kaluar të gjatë në arbitrim si asistent në nivele të larta dhe ka bashkëpunuar ngushtë me Rocchin në arenën europiane. Aktualisht, te Interi ai luan një rol kyç si ndërlidhës mes klubit dhe Shoqatës së Arbitrave, duke analizuar vendimet e VAR-it dhe duke shpjeguar vendimet e arbitrave për skuadrën.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)