Kërcënohet gjyqtarja e posaçme, rritet siguria për Irena Gjokën

Autoritetet nuk kanë bërë publike detaje mbi natyrën e kërcënimeve, duke i konsideruar ato informacion të klasifikuar.

30.04.2026. 07:51

Kërcënohet gjyqtarja e posaçme, rritet siguria për Irena Gjokën

Komisioni për Mbrojtjen e Gjyqtarëve ka vendosur të forcojë masat e sigurisë për gjyqtaren e posaçme Irena Gjoka, pas informacioneve për kërcënime dhe rrezik të mundshëm ndaj saj.

Vendimi është marrë në një mbledhje ku morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, drejtuesi i GJKKO-së, si dhe zyrtarë të Policisë së Shtetit.

Sipas burimeve, përveç mbrojtjes së zakonshme që ofrohet nga Garda për gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK, ndaj Gjokës do të angazhohen edhe efektivë nga njësitë e specializuara të sigurisë.

Autoritetet nuk kanë bërë publike detaje mbi natyrën e kërcënimeve, duke i konsideruar ato informacion të klasifikuar.

Gjyqtarja Gjoka ka qenë edhe më parë nën masa të shtuara sigurie, si për shkak të rolit të saj si zëvendëskryetare e Gjykatës së Posaçme, ashtu edhe për përfshirjen në shqyrtimin e çështjeve të rëndësishme dhe me interes të lartë publik, përfshirë dosjen “Partizani”.

Ndërkohë, nën mbrojtje të posaçme shtetërore vijojnë të jenë edhe gjyqtarja Gentiana Muça, pas një sulmi me lëndë plasëse ndaj automjetit të familjes së saj disa vite më parë, si dhe ish-gjyqtari i Shkodrës, Tonin Stërkaj, në banesën e të cilit është hedhur eksploziv.

Burime të tjera bëjnë me dije se një pjesë e konsiderueshme e personave që përfitojnë masa të tilla sigurie janë prokurorë të SPAK, si edhe disa prokurorë në Elbasan, ku njëri prej tyre është transferuar në Tiranë për arsye që lidhen me sigurinë personale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)