Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se qeveria do të hedhë në treg dhjetëra mijëra tonë naftë nga rezervat shtetërore, me qëllim garantimin e stabilitetit energjetik në vend. Ai theksoi se kjo masë është e domosdoshme për të përballuar sfidat aktuale në tregun e energjisë.
Në një intervistë për mediat vendase, Vuçiç deklaroi se Serbia po punon njëkohësisht për të rimbushur rezervat, ndërsa pranoi se aktualisht mungojnë rreth 17 milionë euro për të zëvendësuar sasinë e naftës së përdorur deri më tani. Sipas tij, diferenca e çmimeve është marrë parasysh dhe është rënë dakord për mënyrën e kompensimit.
Kreu i shtetit serb nënvizoi gjithashtu rëndësinë strategjike të kompanisë energjetike NIS, duke theksuar se çështja që lidhet me funksionimin e saj duhet të zgjidhet brenda 20 ditëve të ardhshme.
Ai bëri të ditur se janë zhvilluar bisedime me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë kompani nga rajoni dhe më gjerë, ndërsa priten negociata të tjera me palë ruse dhe arabe.
Vuçiç u shpreh se rezervat energjetike kanë rezultuar vendimtare në këtë periudhë, duke shtuar se Serbia ka arritur të shmangë probleme më të mëdha falë kapaciteteve të saj të brendshme, përfshirë rafinerinë vendase.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)