Trump pro daljes së Emirateve të Bashkuara nga OPEC: Çmimet e naftës do ulen

Sipas tij, largimi nga OPEC mund të ndikojë në uljen e çmimeve të naftës dhe karburanteve në tregjet ndërkombëtare.

Burimi: CNBC

30.04.2026. 09:14

Trump pro daljes së Emirateve të Bashkuara nga OPEC: Çmimet e naftës do ulen

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka mbështetur vendimin e Emirateve të Bashkuara Arabe për t’u tërhequr nga organizata e vendeve eksportuese të naftës, OPEC, duke e cilësuar këtë hap si pozitiv për uljen e çmimeve globale të energjisë.

Në një deklaratë për mediat në Shtëpinë e Bardhë, Trump vlerësoi vendimin e presidentit të Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, duke e konsideruar atë si një veprim të zgjuar që mund t’i lejojë vendit të ndjekë një politikë më të pavarur energjetike.

Sipas tij, largimi nga OPEC mund të ndikojë në uljen e çmimeve të naftës dhe karburanteve në tregjet ndërkombëtare.

Emiratet njoftuan se do të përfundojnë zyrtarisht anëtarësimin në OPEC më 1 maj, pas një rishikimi të politikave të prodhimit dhe kapaciteteve të tyre, duke e konsideruar këtë vendim në interes kombëtar. Ky zhvillim shihet si një goditje për organizatën, e cila prej dekadash ka koordinuar prodhimin dhe çmimet mes vendeve anëtare.

Vendimi vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm pas përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Situata është përkeqësuar më tej nga kufizimet në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për eksportin global të energjisë.

Nga ana tjetër, administrata amerikane ka vendosur një bllokadë ndaj porteve iraniane si kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të Teheranit, ndërsa negociatat mbeten në ngërç.

Trump ka lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjeve të tjera ushtarake, ndërsa raportimet flasin për plane të mundshme për sulme të shpejta në rast se situata nuk zgjidhet përmes diplomacisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)