Shqipëria vijon të renditet ndër vendet me nivel relativisht të lartë të vrasjeve me dashje në Europë, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat për vitin 2024.
Në total, gjatë këtij viti janë regjistruar 41 vrasje, që përkthehen në 1.71 raste për 100 mijë banorë, duke e pozicionuar vendin të tetin në kontinent.
Krahasuar me vitin 2023, kur norma ishte 1.27 për 100 mijë banorë, Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të këtij treguesi. Kjo lidhet si me shtimin e numrit të rasteve, nga 35 në 41, ashtu edhe me përllogaritjen mbi një popullsi më të ulët, sipas rezultateve të Censit të fundit.
Në renditjen europiane, Shqipëria qëndron pas vendeve si Lituania, Letonia dhe Turqia, por edhe pas disa shteteve më të vogla si Mali i Zi, Estonia, Islanda dhe Finlanda, të cilat gjithashtu shfaqin norma relativisht të larta për shkak të faktorëve të ndryshëm socialë dhe demografikë.
Megjithatë, të dhënat historike tregojnë se situata aktuale mbetet më e përmirësuar krahasuar me vitet e mëparshme. Kulmi i vrasjeve në Shqipëri është shënuar në vitin 2016, me 71 viktima, ose 2.46 raste për 100 mijë banorë, një nivel dukshëm më i lartë se ai aktual.
Në kontekstin rajonal, vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, vazhdojnë të përballen me sfida që lidhen me konfliktet personale, kriminalitetin e organizuar, qarkullimin e armëve dhe dobësitë në zbatimin e ligjit. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në nivelin e dhunës dhe në statistikat e vrasjeve.
Edhe pse Shqipëria nuk renditet në krye të listës, trendi në rritje për vitin 2024 mbetet një sinjal shqetësues për institucionet dhe kërkon vëmendje të shtuar në drejtim të sigurisë dhe parandalimit të krimit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)