Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit po mbahen homazhet në nderim të Servet Pëllumbit, ish-kryetarit të Kuvendit dhe një nga figurat më të njohura të politikës shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit pas viteve ’90. Homazhet nisën në orën 09:30 dhe do të vijojnë deri në 12:00, ndërsa në orën 13:00 kortezhi mortor do të niset drejt varrezave të Sharrës ku do të përcillet për në banesën e fundit.
Në ceremoninë e homazheve kanë marrë pjesë figura të shumta nga politika dhe jeta publike. Nga radhët e opozitës, i pranishëm ishte deputeti i Partisë Demokratike dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, i cili kreu nderime për ish-kryeparlamentarin.
Mes figurave politike ishin edhe ish-ministrja Olta Xhaçka, e cila është edhe e afërme familjare e Pëllumbit si dhe ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Në homazhe do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama, së bashku me përfaqësues të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, që do të jenë të pranishëm në ceremoninë zyrtare që do të zhvillohet në orën 12:00.
Servet Pëllumbi ka pasur një karrierë të gjatë politike në radhët e Partisë Socialiste, duke mbajtur disa mandate si deputet dhe duke shërbyer edhe si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Ai është dekoruar nga ish-presidenti Alfred Moisiu me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Pëllumbi lindi më 14 dhjetor 1936 në Korçë dhe për shumë vite u konsiderua një zë i rëndësishëm në debatet politike të vendit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)