Kryeministri Edi Rama mori pjesë në homazhet për ish-kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi, duke ndarë publikisht raportin e veçantë që kishte pasur me të ndër vite.
Rama tregoi se marrëdhënia mes tyre kishte nisur me “antipati reciproke në distancë”, por më pas ishte kthyer në respekt dhe simpati të ndërsjellë.
“E kam njohur pak dhe nga larg. Marrëdhënia ime me të është marrëdhënie tipike e një antipatie reciproke në distancë dhe simpati reciproke në vijim”, u shpreh kryeministri.
Ai tha se në fillim e shihte profesorin si përfaqësues të një fryme që nuk e simpatizonte, duke e cilësuar si “konservator” dhe “marksist-leninist”, por më pas kishte zbuluar një tjetër anë të tij.
“Ka qenë një nga mësimet më të çmuara në këtë rrugëtimin timin, përballja me realitetin e një njeriu përtej etiketimeve dhe kornizimeve. Kam njohur një njeri shumë progresist, dashamirës ndaj kujtdo që përpiqet të bëjë diçka ndryshe”, tha Rama.
Kreu i qeverisë kujtoi edhe mesazhet që, sipas tij, Servet Pëllumbi i dërgonte herë pas here në momentet më të vështira.
“Ishte njeri solidar me mua që befasisht shfaqej në ekranin e celularit tim në mënyrë të papritur, duke më çuar fjalë inkurajuese”, deklaroi ai.
Rama shtoi se largimi nga jeta i Servet Pëllumbit i kishte ardhur papritur, pasi ishte mësuar ta shihte gjithmonë aktiv dhe të gatshëm për të diskutuar mbi temat që kishte për zemër.
Ai e përshkroi Servet Pëllumbin si “një burrë të mirë, të ndershëm, të mençur dhe babaxhan”, duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e tij.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)