Pas disa ditësh shqetësimi dhe mungese të plotë komunikimi, është gjetur në Florida ish-modelja 50-vjeçare italiane Elisabetta Ferretti, e njohur edhe për denoncimet e saj ndaj abuzimeve të financierit amerikan Jeffrey Epstein.
Sipas autoriteteve, informacioni për vendndodhjen e saj është konfirmuar përmes Interpolit, pas një kërkese të bërë nga Ministria e Brendshme italiane dhe ndërhyrjes së autoriteteve amerikane. Ajo dyshohet se ndodhet aktualisht në një burg në Florida, por nuk janë bërë ende publike arsyet e sakta të ndalimit të saj.
Lajmi i është komunikuar edhe familjes së saj në Itali, si dhe autoriteteve konsullore italiane në Shtetet e Bashkuara.
Ferretti nuk kishte pasur asnjë kontakt me familjen që prej 22 prillit, menjëherë pas kthimit të saj në SHBA pas festave të Pashkëve në Itali. Telefonatat dhe mesazhet kishin ndaluar papritur, ndërsa edhe rrjetet e saj sociale ishin çaktivizuar, gjë që kishte ngritur alarm te të afërmit.
Autoritetet italiane kishin hapur një hetim dhe kishin kërkuar ndihmë ndërkombëtare për lokalizimin e saj.
Elisabetta Ferretti njihet gjithashtu për deklaratat e mëparshme publike ku ka treguar për përjetime të rënda gjatë kontaktit me Jeffrey Epstein, të cilin e kishte akuzuar për sjellje abuzive gjatë periudhës kur ajo synonte të ndërtonte karrierë në industrinë e modës në SHBA.
Hetimet dhe rrethanat e ndalimit të saj në Florida mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet për rastin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)