Aksidenti tragjik në Durrës me dy fëmijë të moshësh 10 dhe 12 vjeç të vdekur, ka sjellë shkarkimin e parë në radhët e strukturës së policisë në qytetin bregdetar. Mësohet se Afrim Tafa është shkarkuar nga detyra si drejtor i Policisë së Durrësit, vetëm një ditë pas vendimit për pezullimin e tij të përkohshëm.
Pezullimi i Tafës dhe dy zyrtarëve të tjerë të policisë lokale pas aksidentit tragjik të ndodhur në zonën e ish-Kënetës ishte hapi i parë i ndërmarrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita me argumentin e performancës së dobët në përmbushjen e detyrave.
Së bashku me Tafën, u pezulluan edhe zv/drejtori për rendin dhe sigurinë, Zija Sula, si dhe shefi i policisë rrugore, Kreshnik Skëndo.
Por ditën e sotme Afrim Tafa përfundimisht është larguar nga drejtimi i Policisë së Durrësit dhe vendin e tij në krye të strukturave do ta zërë si i komandauar, Ervin Hodaj. Sakaq, Tafa është emëruar shef sektori pranë Interpolit, një pozicion që e ka mbajtur edhe më herët në karrierën e tij.
Sa i përket ngjarjes së rëndë, që tronditi opinionin public duke ngritur pikëpyetje mbi reagimin e strukturave policore pas denoncimeve të mëparshme nga banorët e zones, ajo ndodhi rreth orës 14:10 të së dielës, në lagjen nr. 15 të Durrësit.
Viktimat janë identifikuar si Enea Muçaj, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç. Autor i ngjarjes është 57-vjeçari Nikoll Radaçi, i cili u arrestua nga policia dhe pranoi se kishte konsumuar alkool para aksidentit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)