Shënjestronte vetëm hotelet e luksit, kapet banda e “skifterëve” shqiptarë në Itali

Gjatë kontrollit në automjet, u gjet një sasi e konsiderueshme sendesh të vjedhura, përfshirë bizhuteri, para cash, si dhe mjete të përdorura për thyerje dhe maskim.

Burimi: Carabinieri.it

06.05.2026. 21:52

Shënjestronte vetëm hotelet e luksit, kapet banda e “skifterëve” shqiptarë në Itali

Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Itali pas një operacioni të Karabinierëve në provincën e Bressanones, pasi dyshohen për një seri vjedhjesh në hotele luksoze në zonën turistike të Tirolit të Jugut.

Sipas autoriteteve italiane, të tre personat u pikasën teksa udhëtonin me një makinë tip “Alfa Romeo Giulietta” dhe po tentonin të futeshin në autostradën A22 për t’u larguar nga zona pas dy vjedhjeve të kryera në një hotel në Naz-Sciaves.

Kur policia u përpoq t’i ndalonte në pikën e pagesës në Verna, shoferi nuk iu bind urdhrit, por përkundrazi përshpejtoi dhe përplasi një automjet të shërbimit të karabinierëve. Pavarësisht përplasjes së fortë, forcat e rendit arritën të neutralizonin dhe arrestonin të tre të dyshuarit, të cilët kundërshtuan arrestimin, duke lënduar edhe dy efektivë policie.

Gjatë kontrollit në automjet, u gjet një sasi e konsiderueshme sendesh të vjedhura, përfshirë bizhuteri, para cash, si dhe mjete të përdorura për thyerje dhe maskim për të mos u identifikuar.

Hetimet kanë treguar se grupi është përgjegjës për disa vjedhje të kryera më herët në hotele në zona të ndryshme turistike si Badia, Chienes dhe Scena. Sipas policisë, banda vepronte në mënyrë të organizuar dhe godiste kryesisht struktura luksoze, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Të tre të arrestuarit akuzohen për vjedhje të rëndë në bashkëpunim, dëmtim prone, rezistencë ndaj policisë dhe plagosje të efektivëve. Ata janë dërguar në burgun e Bolzanos, në pritje të vendimeve të mëtejshme të gjykatës.

Njëri prej tyre rezulton gjithashtu me një urdhër arresti të mëparshëm në Itali për vepra penale të kryera në Piemonte, por kishte përdorur identitet të rremë për t’iu shmangur drejtësisë.

Policia italiane theksoi se zbulimi i grupit u bë i mundur falë kamerave të sigurisë në hotele, të cilat kanë ndihmuar në identifikimin e të dyshuarve dhe dokumentimin e veprimeve të tyre.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)