Lituania gati të presë 5,000 trupat amerikane që Trump do tërheqë nga Gjermania

Lituania pret më shumë se 1,000 trupa amerikane në territorin e saj dhe është gati të presë më shumë në të ardhmen, sipas presidentit Gitanas Nauseda.

06.05.2026. 20:27

Lituania gati të presë 5,000 trupat amerikane që Trump do tërheqë nga Gjermania

Lituania është shteti që mund të përfitojë nga krisja e madhe midis Donald Trump dhe Friedrich Merz. Vilniusi shpreson që çdo ushtar amerikan që do të largohet nga Gjermania do të mbetet në Europë, siç tha të martën Presidenti i vendit baltik, Gitanas Nauseda.

Lituania pret më shumë se 1,000 trupa amerikane në territorin e saj dhe është gati të presë më shumë në të ardhmen, sipas presidentit.

Deklarata e tij vjen vetëm pak ditë pasi në kulmin e një mosmarrëveshjeje me Friedrich Merz, Shtëpia e Bardhë njoftoi se SHBA-të do të tërheqin afërsisht 5,000 anëtarë të personelit ushtarak amerikan nga Gjermania gjatë një viti, pra afërsisht 15% të forcave të pranishme në vend.

“Ne parashikojmë që tërheqja të përfundojë në gjashtë deri në 12 muajt e ardhshëm”, tha zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, Sean Parnell.

Njoftimi erdhi pasi Trump tha më parë këtë javë se po shqyrtonte uljen e numrit të trupave amerikane të stacionuara në Gjermani, një aleat i NATO-s, pasi komentet e Merz se “amerikanët padyshim nuk kanë strategji” për Iranin dhe se Teherani po “poshtëronte” fuqinë më të fuqishme në botë, e zemëruan shefin e Shtëpisë së Bardhë.

"Ai mendon se është në rregull që Irani të ketë një armë bërthamore. Ai nuk e di për çfarë po flet", i ishte përgjigjur Trump kancelarit gjerman.

Të nesërmen, presidenti amerikan shkroi se Uashingtoni kishte "filluar të studionte dhe të shqyrtonte reduktimin e mundshëm" të pranisë ushtarake amerikane në Gjermani. "Një vendim do të merret shumë shpejt", kishte premtuar ai.

Vlen të theksohet se më shumë se 36,000 trupa amerikane janë të stacionuara në Gjermani, sipas një numërimi zyrtar të përfunduar në fund të vitit 2025.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)