Shkrumbohet nga zjarri qiellgërvishtësi në ndërtim, në Dubai

Zjarri shpërtheu në The Residences, Al Habtoor Grand, një ndërtesë 50-katëshe e vendosur pranë Portit të ri të Dubait dhe që pritet të përfundojë në mars të vitit 2027.

06.05.2026. 19:03

Shkrumbohet nga zjarri qiellgërvishtësi në ndërtim, në Dubai

Një qiellgërvishtës në ndërtim e sipër, në zonën e Marinës së Dubait është përfshirë nga flakët mëngjesin e së mërkurës, duke mbuluar me re të zeza tymi të dendur pjesën më të madhe të qytetit.

Zjarri shpërtheu në The Residences, Al Habtoor Grand, një ndërtesë 50-katëshe e vendosur pranë Portit të ri të Dubait dhe që pritet të përfundojë në mars të vitit 2027.

Forca të shumta nga Policia e Dubait dhe Mbrojtja Civile nxituan në vendngjarje, ndërsa imazhet e tymit që mbulonin zonat e Marinës dhe Jumeirah Beach Residence bënë xhiron e botës në mediat sociale.

Sipas Mbrojtjes Civile të Dubait, qendra e operacioneve mori një telefonatë emergjente në orën 7:06 të mëngjesit, me zjarrfikësit e parë nga stacioni Al Marsa që mbërritën në vendngjarje brenda shtatë minutash dhe nisën të vënë në kontroll flakët.

Autoritetet thanë se nuk pati të lënduar dhe se ndërtesa u ftoh për të parandaluar rindezjen e zjarrit.

Sipas raportit, incidentet e zjarreve në Emiratet e Bashkuara Arabe ndodhin më shpesh gjatë muajve të ngrohtë, kur mbizotërojnë kushtet e thata dhe me pluhur, duke lejuar që edhe një shkëndijë e vogël të zhvillohet shpejt në një zjarr të madh. Çështja e sigurisë në rrokaqiej ka qenë një shqetësim i madh për autoritetet vitet e fundit, veçanërisht pas incidenteve serioze në ndërtesa shumëkatëshe.

Prillin e kaluar, pesë persona vdiqën në një zjarr që u përhap në një pallat apartamentesh në Sharjah, ndërsa rritja e shpejtë e popullsisë dhe ndërtimi i vazhdueshëm i kullave të reja kanë çuar në zhvillimin e metodave të reja të shuarjes së zjarreve, madje duke përdorur edhe dronë për operacione në lartësi të mëdha.  

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)