Anija turistike me hantavirus drejt Tenerifes, përplaset qeveria e Spanjës me drejtuesit e Ishujve Kanarie

Pas një kërkese nga OBSH-ja dhe Bashkimi Europian, Madridi pranoi të lejonte anijen të ankorohej në Ishujt Kanarie, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë, MV Hondius, pritet të mbërrijë brenda 3-4 ditësh.

Burimi: El Pais

06.05.2026. 18:49

Anija turistike me hantavirus drejt Tenerifes, përplaset qeveria e Spanjës me drejtuesit e Ishujve Kanarie

Ankorimi i mundshëm i anijes turistike MV Hondius në brigjet e arkipelagut të ishujve Kanarie, ka ndezur përplasje midis qeverisë lokale atje dhe ekzekutivit në Madrid. Pas një kërkese nga OBSH-ja dhe Bashkimi Europian, Madridi pranoi të lejonte anijen të ankorohej në Ishujt Kanarie, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë, MV Hondius, pritet të mbërrijë brenda 3-4 ditësh, por Presidenti i arkipealgut ka hedhur poshtë këtë mundësi.

Guvernatori  Fernando Clavijo ka kërkuar një takim urgjent me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, duke pasur parasysh një vendim që ai beson se nuk përmbush "asnjë kriter teknik", dhe sipas tij as nuk ka "informacion të mjaftueshëm për të ruajtur një mesazh qetësie dhe për të garantuar sigurinë e popullsisë së Ishujve Kanarie".

Ministrja spanjolle e Shëndetësisë Monica Garcia konfirmoi se anija turistike do të ankorohet në Tenerife të shtunën, më 9 maj, por El Pais raporton se Clavijo sulmoi "mosbesnikërinë institucionale" të qeverisë kombëtare dhe mungesën e profesionalizmit për shkak se nuk e mbajti atë të informuar gjatë një interviste për ‘Onda Cero’.

Garcia deklaroi se pasagjerët e huaj,  që përfaqësojnë afërsisht 22 kombësi, do të evakuohen në vendet e tyre të origjinës, ndërsa 14 qytetarët spanjollë të infektuar do të testohen në ishull dhe më pas do të transferohen me avionë ushtarakë në kryeqytetin spanjoll, ku do të karantinohen.

“Ne gjithashtu do të miratojmë masat e nevojshme të shëndetit publik në mënyrë që çdo person simptomatik në bord të mos e transmetojë virusin te popullata", shpjegoi ministrja.

Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm Fernando Grande  Marlaska shpjegoi se Tenerife u zgjodh si porti i destinacionit sepse është më i afërti me kapacitetin për të ofruar ndihmë.

"Jo vetëm sepse plotëson kushtet e nevojshme, por sepse kemi mekanizmin e nevojshëm të BE-së për të siguruar riatdhesimin në kushtet më të sigurta", deklaroi ai.

Por Guvernatori i Ishujve Kanarie kritikoi Ministren e Shëndetësisë për dështimin në shpjegimin e kritereve të ndjekura nga OBSH për trajtimin e hantavirusit.

"Nuk mund ta lejoj të hyjë në Ishujt Kanarie. Kjo nuk ishte ajo për të cilën u ra dakord. Qeveria e Ishujve Kanarie nuk mund të lejojë që anija të ankorohet", këmbënguli Clavijo duke shpjeguar se në arkipelag "ka vetëm një shtrat në dispozicion për të akomoduar këtë lloj pacienti" dhe "në të gjithë Spanjën ka vetëm shtatë shtretër të specializuar në këto lloj gjendjesh".

"Nuk kemi asnjë komunikim zyrtar, asnjë informacion, as ndonjë kërkesë nga OBSH-ja për të mirëpritur anijen. Po presim të dimë kriteret teknike për vendimin për ta dërguar atë në Ishujt Kanarie. Kjo është arsyeja pse kam kërkuar një takim urgjent me Kryeministrin Sanchez", tha ai për transmetuesin publik TVE, pasi Ministria spanjolle e Shëndetësisë ra dakord me OBSH-në që të lejonte anijen turistike, e cila është goditur nga një shpërthim i hantavirusit që ka shkaktuar tashmë tre vdekje, të ankorohej në arkipelagun Iberik.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)