Rrëmbeu dhe vrau të miturën, dënim kapital për korrierin amerikan

Ndërkohë, familja ka ngritur më herët një padi edhe ndaj FedEx dhe një kompanie kontraktore, duke pretenduar se nuk janë kryer kontrollet e nevojshme për të kaluarën e autorit para punësimit.

Burimi: BBC

06.05.2026. 18:35

Rrëmbeu dhe vrau të miturën, dënim kapital për korrierin amerikan

Një ish-punonjës i kompanisë FedEx është dënuar me vdekje për vrasjen e një vajze 7-vjeçare në Teksas, një ngjarje që tronditi opinionin publik në vitin 2022.

Tanner Horner pranoi fajësinë për rrëmbimin dhe vrasjen e Athena Strand gjatë gjykimit që zgjati disa javë. Juria vendosi dënimin maksimal, duke zgjedhur ekzekutimin me injeksion vdekjeprurës, në vend të burgimit të përjetshëm.

Sipas hetimeve, Horner kishte shkuar në banesën e familjes për të dorëzuar një pako me dhuratë Krishtlindjeje për vajzën, një kuti me lodra, kur e rrëmbeu atë. Dy ditë më vonë, trupi i së miturës u gjet pranë zonës ku jetonte familja, afër Fort Worth.

Gjatë seancave gjyqësore, u dëgjua edhe një regjistrim audio që përmbante momentet e fundit të vajzës brenda automjetit të autorit, një provë që rëndoi më tej çështjen.

Familjarët e viktimës reaguan ashpër pas vendimit. Xhaxhai i saj, Elijah Strand, deklaroi se familja është shkatërruar nga kjo tragjedi. “Na ke lënë një boshllëk që nuk do të mbushet kurrë. Shkatërrove një familje,” tha ai në sallën e gjyqit.

Ndërkohë, familja ka ngritur më herët një padi edhe ndaj FedEx dhe një kompanie kontraktore, duke pretenduar se nuk janë kryer kontrollet e nevojshme për të kaluarën e autorit para punësimit.

Autoritetet bëjnë me dije se data e ekzekutimit nuk është përcaktuar ende, por ai pritet të kryhet në orët e para të mëngjesit, sipas procedurave ligjore në SHBA.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)