Padia e depozituar në Gjykatën Supreme të shtetit të Nju Jorkut ka vënë në qendër të vëmendjes JPMorgan Chase, duke përfshirë akuza të rënda ndaj drejtueses shqiptare të bankës dhe duke nxjerrë në pah dëshminë e detajuar të paditësit.
Padia është ngritur nga Chirayu Rana, 35 vjeç, i cili pretendon se është përballur me abuzim seksual, presion dhe kërcënime nga drejtuesja Lorna Hajdini gjatë periudhës së punës së tij në bankë.
Sipas dëshmisë së tij, ngjarjet kanë nisur në mesin e vitit 2024 dhe janë përshkallëzuar me kalimin e kohës. Rana pretendon se është përballur fillimisht me sjellje të papërshtatshme në ambientet e punës, si komente fyese dhe kontakte fizike të padëshiruara, të cilat më pas, sipas tij, u kthyen në presion të vazhdueshëm për marrëdhënie intime.
Në deklarimet e tij, ai thekson se ka refuzuar disa herë kërkesat, por pretendon se është përballur me kërcënime për karrierën dhe presion psikologjik. Sipas padisë, ai ka raportuar se në disa raste është ndjerë i detyruar të përballet me situata degraduese dhe jashtë vullnetit të tij.
Një element kyç i çështjes janë edhe dëshmitë mbështetëse. Një dëshmitar ka deklaruar se në një rast, gjatë qëndrimit në një apartament me Ranën, është zgjuar nga prania e një gruaje që më pas e identifikoi si Lorna Hajdini, e cila sipas tij ishte në gjendje të dehur dhe i kërkoi të përfshihej në situatë, gjë që ai e refuzoi.
Një dëshmitar i dytë ka pohuar se Rana i kishte treguar më herët për shqetësimet e tij lidhur me një kolege në zyrë dhe më pas kishte parë sjellje fizike të padëshiruara ndaj tij.
Paditësi pretendon gjithashtu se ka pësuar dëmtime të rënda emocionale dhe është diagnostikuar me çrregullim të stresit post-traumatik, ndërsa kërkon dëmshpërblim financiar dhe masa ndaj bankës për mënyrën e trajtimit të ankesës së tij.
Nga ana tjetër, Lorna Hajdini ka mohuar kategorikisht akuzat, ndërsa JPMorgan Chase ka deklaruar se nuk ka gjetur prova që mbështesin pretendimet për abuzim.
Çështja mbetet në shqyrtim dhe pritet të vlerësohet nga gjykata, ndërsa rasti ka ngjallur debat të gjerë për standardet e sjelljes në vendin e punës dhe trajtimin e ankesave brenda institucioneve të mëdha financiare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)