6000 dosje në 5 vjet, qeveria përshpejton dëmshpërblimin për ish-të përndjekurit

Ndryshimet në vendimin e qeverisë parashikojnë heqjen e skemës së pagesës me 8 këste për një pjesë të përfituesve.

06.05.2026. 20:13

6000 dosje në 5 vjet, qeveria përshpejton dëmshpërblimin për ish-të përndjekurit

Qeveria ka miratuar ndryshime në skemën e dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politikë, me synimin për të përshpejtuar pagesat dhe për të ulur vonesat e gjata që kanë shoqëruar procesin ndër vite.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se ndryshimet në vendimin e qeverisë parashikojnë heqjen e skemës së pagesës me 8 këste për një pjesë të përfituesve.

Sipas tij, për të gjitha detyrimet deri në 1 milion lekë, dëmshpërblimi do të jepet i plotë në këstin e radhës, duke shmangur pritjet e gjata që kanë karakterizuar deri tani këtë proces.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me kohën e përpunimit të pagesave. Aktualisht, kalimi nga një këst në tjetrin zgjat nga 3.5 deri në 4 vite, ndërsa me skemën e re kjo periudhë pritet të shkurtohet në 2 deri në 2.5 vite.

Ministri theksoi se synimi është që brenda 4–5 viteve të shlyhen rreth 6000 dosje nga mbi 10 mijë që janë në total, duke përshpejtuar ndjeshëm mbylljen e këtij procesi.

Për të mbështetur këto ndryshime, qeveria ka parashikuar edhe rritje të fondit për dëmshpërblimet. Për vitin 2026, fondi do të arrijë në 1.5 miliardë lekë, ose rreth 15 milionë euro.

Sipas Petrit Malaj, këto masa jo vetëm që do të rrisin efikasitetin e pagesave, por edhe do të ndihmojnë në përmbushjen e një detyrimi moral ndaj ish të përndjekurve politikë dhe familjeve të tyre.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)