Norma e interesit nuk ndryshon, Sejko: Rritja e naftës do të sjellë inflacion

Banka e Shqipërisë vlerëson se situata mund të përmirësohet nëse konfliktet në Lindjen e Mesme përfundojnë shpejt.

06.05.2026. 17:35

Norma e interesit nuk ndryshon, Sejko: Rritja e naftës do të sjellë inflacion

Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, duke mos bërë ndryshime në politikën monetare për momentin.

Gjatë një konference për mediat, guvernatori Gent Sejko shpjegoi se vendimi është marrë në një kohë pasigurie të lartë ekonomike, sidomos për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare.

Sipas tij, rritja e çmimit të naftës në tregjet botërore, e ndikuar nga tensionet në Lindjen e Mesme pritet të ketë ndikim edhe në Shqipëri.

Sejko paralajmëroi se kjo situatë mund të sjellë, inflacion, rritje të çmimeve dhe ngadalësim të rritjes ekonomike.

“Rritja e çmimit të naftës do të ndikojë në rritjen e inflacionit mbi objektiv dhe në ngadalësimin e ekonomisë,” u shpreh ai.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se situata mund të përmirësohet nëse konfliktet në Lindjen e Mesme përfundojnë shpejt. Në të kundërt, pasiguria do të mbetet e lartë dhe ndikimet ekonomike mund të zgjasin më shumë.

Në përfundim, Banka e Shqipërisë thekson se do të vijojë të monitorojë zhvillimet dhe do të ndërhyjë nëse do të jetë e nevojshme për të mbajtur stabilitetin ekonomik në vend.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)