Transformimi i tregut çam, Ristani shpjegon projektin e ri

Projekti parashikon gjithashtu unifikimin e fasadave të pallateve dhe bizneseve.

06.05.2026. 17:07

Transformimi i tregut çam, Ristani shpjegon projektin e ri

Një nga zonat më të frekuentuara pranë qendrës së kryeqytetit, Tregu Çam, është përfshirë në një projekt të gjerë rikualifikimi urban që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e një identiteti të ri estetik.

Gjatë një inspektimi në terren, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, deklaroi se zona ka vuajtur ndër vite nga mungesa infrastrukturore, sidomos për shkak të rrjeteve të amortizuara dhe rritjes së kërkesës për shërbime.

Sipas saj, një nga problemet më të mëdha, ai i kanalizimeve të ujërave të zeza, tashmë është zgjidhur, ndërsa puna vijon për përmirësimin e rrugëve, trotuareve dhe hapësirave publike.

Projekti parashikon gjithashtu unifikimin e fasadave të pallateve dhe bizneseve me stil neoklasik, vendosjen e reklamave të standardizuara dhe ndriçim dekorativ, me qëllim krijimin e një pamjeje të harmonizuar urbane.

“Bëhet fjalë për një zonë shumë të rëndësishme që u shërben qindra qytetarëve çdo ditë. Projekti ka kërkuar shumë diskutime dhe bashkëpunim, pasi prek si banorët ashtu edhe bizneset”, u shpreh Anuela Ristani.

Rikualifikimi përfshin ndërhyrje në rrugët e zonës ku do të ndërtohen trotuare të reja, ndriçim LED, rrjet modern kanalizimesh për ujërat e zeza dhe të shiut, si dhe do të vendosen elemente të reja urbane dhe hapësira të gjelbra.

Autoritetet vendore theksojnë se përfundimi i projektit pritet të sjellë një standard më të lartë jetese dhe shërbimesh për banorët dhe bizneset në këtë zonë kyçe të kryeqytetit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)