Rrethohet burgu i Fushë Krujës, kontrolle të imtësishme për sende të paligjshme

Ky aksion vjen në vijim të kontrolleve të ngjashme të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve edhe në burgje të tjera të vendit.

06.05.2026. 20:40

Rrethohet burgu i Fushë Krujës, kontrolle të imtësishme për sende të paligjshme

Një aksion i papritur u zhvillua në burgun e Fushë-Krujës nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ku forca të shumta kanë ndërhyrë për kontrolle të imtësishme në ambientet e institucionit.

Rreth 10 furgona me efektivë të policisë së burgjeve kanë shkuar në objekt dhe kanë kontrolluar në qeli dhe hapësira të tjera, me qëllim evidentimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara.

Burime bëjnë me dije se objekt i këtij operacioni janë sende të kundërligjshme si telefona celularë, mjete të mprehta të improvizuara, lëndë narkotike dhe çdo material tjetër i ndaluar brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Ky aksion vjen në vijim të kontrolleve të ngjashme të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve edhe në burgje të tjera të vendit, në kuadër të forcimit të sigurisë dhe disiplinës në sistemin penitenciar.

Deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi sende të sekuestruara apo masa të marra ndaj personave të përfshirë, ndërsa aksioni vijon.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)