Drejtori i Burgjeve zbret në terren, aksion 'blic' në Fushë-Krujë, të dënuarve u gjenden telefona

Ky aksion vjen në vijim të kontrolleve të ngjashme të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve edhe në burgje të tjera të vendit.

06.05.2026. 20:40

Drejtori i Burgjeve zbret në terren, aksion 'blic' në Fushë-Krujë, të dënuarve u gjenden telefona

Një kontroll i befasishëm dhe i detajuar është zhvilluar mbrëmjen e sotme në burgun e Fushë-Krujës, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë dhe disiplinës në burgje.

Operacioni u drejtua nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, së bashku me Drejtorin e Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta.

Kontrolli nisi rreth orës 17:30 dhe përfundoi në 19:30 dhe gjatë operacionit u sekuestruan 3 telefona celularë, 3 ora inteligjente me funksion telefoni, mjete të improvizuara të mprehta si edhe sende të tjera të palejuara.

Sipas burimeve nga Drejtoria e Burgjeve, aksioni kishte si synim evidentimin dhe goditjen e çdo elementi që cenon sigurinë dhe rendin brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Në operacion morën pjesë dhjetëra efektivë të policisë së burgjeve, ndërsa rreth 10 furgona u angazhuan në kontrollet e imtësishme në qeli dhe ambiente të tjera të institucionit.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjitha IEVP-të e vendit, duke theksuar se çdo shkelje do të trajtohet me përgjegjësi individuale dhe institucionale.

“Çdo tentativë për të cenuar sigurinë, rendin dhe rregullin në institucionet e vuajtjes së dënimit do të goditet menjëherë dhe pa kompromis. Toleranca është zero”, thuhet në mesazhin e autoriteteve.

Deri tani nuk ka informacion zyrtar për persona të ndëshkuar apo masa të tjera disiplinore, ndërsa kontrollet në burgun e Fushë-Krujës vijojnë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)