U përplas me “Shqiponjat” në 2021, kapet me armë pjesëtari i grupit të Marklen Hakës

Sipas burimeve policore, i riu nga Nikla është ndaluar teksa lëvizte me automjet në shoqërinë e një personi tjetër dhe gjatë kontrollit, atij iu gjet një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua nga efektivët.

06.05.2026. 22:01

U përplas me “Shqiponjat” në 2021, kapet me armë pjesëtari i grupit të Marklen Hakës

Forcat “Shqiponja” kanë arrestuar mbrëmjen e sotme në zonën e Rinasit 34-vjeçarin Aurel Deliu, i dyshuar si pjesë e grupit të Marklen Hakës.

Sipas burimeve policore, i riu nga Nikla është ndaluar teksa lëvizte me automjet në shoqërinë e një personi tjetër dhe gjatë kontrollit, atij iu gjet një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua nga efektivët.

34-vjeçari rezulton person me precedent penal dhe i skeduar më herët nga policia. Emri i tij është përfshirë edhe në një ngjarje të ndodhur në vitin 2021 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, ku ai u arrestua bashkë me një tjetër person, ndërsa dy të rinj u shpallën në kërkim.

Në atë kohë, katër djemtë po lëviznin me një automjet tip “Volkswagen” kur u ndaluan nga një patrullë e forcave “Shqiponja”. Sipas policisë, ata nuk iu bindën urdhrit për kontroll dhe u përfshinë në një konfrontim fizik me efektivët.

Dy prej tyre arritën të largoheshin, ndërsa me vete morën edhe armën pistoletë që ndodhej në brezin e njërit prej të arrestuarve. Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi një shumë të konsiderueshme parash në euro dhe lekë, disa telefona celularë si dhe një portofol me stemën e policisë.

Në pranga asokohe ranë Aurel Deliu dhe Alban Tufa, ndërsa në kërkim u shpallën Marklen Haka dhe Bledar Kurti.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. D., 29 vjeç dhe A. T., 29 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. H. dhe B. K., pasi në rrugën ‘Marie Logoreci’, kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë. Gjatë kontrollit në mjetin me të cilin qarkullonin këta shtetas u gjetën një sasi e konsiderueshme parash në euro dhe në lekë, sende që përdoren për prerjen e lëndës narkotike, 1 portofol me stemën e policisë dhe 4 aparate celular, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin”, njoftonte policia për ngjarjen e ndodhur në vitin 2021.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)