Opozita sërish para Kryeministrisë, skenar pa foltore, 1200 efektivë në shesh

Opozita vijon stinën e protestave të para Kryeministrisë me kërkesën e vetme për të larguar Edi Ramën dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

08.05.2026. 17:58

Opozita sërish para Kryeministrisë, skenar pa foltore, 1200 efektivë në shesh

Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj do të protestojnë sërish mbrëmjen e së premtes përpara Kryeministrisë kundër qeverisë së Edi Ramës dhe kabinetit të ri.

Ndonëse në kushte aspak të favorshme atmosferike, militantët, por edhe qytetarë të thjeshtë pritet të dalin në rrugë në orën 19:00 për të kërkuar largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij, për ato që opozita i quan afera galoponte korruptive të mazhorancës.

Duket se organizatorët e protestës kanë menduar një skenar ndryshe për protestën e sotme, duke qenë se në tubimin e fundit, policia ndërhyri menjëherë dhe neutralizoi “grupin e zjarrit” dhe shpërndau turmën me ujë me presion dhe spraj me piper, duke e fashitur manifestimin.

Sipas burimeve, protesta e sotme nuk do të ketë fjalime, pasi nuk ka një podium të ngritur në shesh dhe mund të zhvillohet në formë marshimi.

Por kjo gjë duket se ka sjellë dhe një reagim të policisë së shtetit, e cila citon se opozita ka marrë leje vetëm për të protestuar përpara Kryeministrisë, çka mund të sjellë dhe përplasja.

Një ditë më parë, blutë e kryeqytetit prezantuan dhe planin e masave që parashikon 1200 efektivë në terren dhe rrugë të bllokuara deri në përfundimin e këtij organizimi.

Mes të tjerash, policia iu rikujtoi organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë se aktet e dhunës do të marrin përgjigjen e fortë të ligjit.

Kujtojmë që në protestat e mëparshme të opozitës ka pasur incidente serioze, ku protestuesit kanë sulmuar me molotovë dhe mjete piroteknike Kryeministrinë, por edhe institucione të tjera, teksa policia është kundërpërgjigur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Në tubimin e fundit dhunës nuk i shpëtuan dhe disa eksponentë të lartë të PD, të cilët në tentativë për të çarë kordonin e policisë, u përballën me spraj me piper dhe dhunë fizike nga policia.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)