Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar kritika të forta ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe ndaj Papës, gjatë një bisede telefonike me median italiane Corriere della Sera, duke ngritur shqetësime për qëndrimin e tyre ndaj çështjeve ndërkombëtare, veçanërisht Iranit.
Në deklaratat e tij, Trump shprehet i habitur dhe i zhgënjyer nga qëndrimi i Melonit, duke theksuar se ajo nuk po mbështet mjaftueshëm përpjekjet në lidhje me konfliktet dhe çështjet energjetike. “Jam i shokuar nga ajo. Mendoja se kishte guxim, por gabova”, është shprehur ai, duke vënë në pikëpyetje edhe reagimin e opinionit publik italian për këtë qasje.
Më tej, Trump ka reaguar edhe ndaj kritikave të Melonit për deklaratat e tij të mëparshme lidhur me Papën, duke e cilësuar qëndrimin e saj si “të papranueshëm”. Ai ka theksuar se kryeministrja italiane nuk po i kushton vëmendjen e duhur rrezikut që, sipas tij, paraqet Irani nëse zotëron armë bërthamore. “Nëse Irani do të kishte një armë të tillë, Italia do të ishte në rrezik serioz”, ka deklaruar ai.
Kritika të drejtpërdrejta Trump ka pasur edhe për Papën, për të cilin është shprehur se nuk e kupton situatën reale në Iran dhe nuk duhet të flasë për çështje lufte. Sipas tij, udhëheqësi i Kishës Katolike nuk është i informuar për zhvillimet në vend dhe për rrezikun që ai përfaqëson në arenën ndërkombëtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)