E mërkura afati i fundit për Iranin, Trump: Do na duhet të hedhim bomba nëse nuk arrihet marrëveshja

I entuziazmuar për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, por edhe i tërbuar me NATO-n për të cilën tha se "nuk kemi pasur kurrë nevojë", u shfaq Donald Trump para turmës në Phoenix. Lidhur me hapjen e Ngushticës së Hormuzit , Trump tha se ishte "një ditë e madhe dhe e ndritshme për botën".

18.04.2026. 08:47

E mërkura afati i fundit për Iranin, Trump: Do na duhet të hedhim bomba nëse nuk arrihet marrëveshja

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha të shtunën në mëngjes se mund t’i japë fund armëpushimit me Iranin, nëse deri të mërkurën nuk arrihet një marrëveshje afatgjatë për t’i dhënë fund luftës.

“Mund të mos e zgjas, por bllokada (mbi portet iraniane) do të mbetet”, u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit Air Force One, teksa kthehej në Uashington nga Phoenix.

“Pra, ka një bllokadë dhe për fat të keq na duhet të fillojmë të hedhim bomba përsëri”, u shpreh ai.

I entuziazmuar për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, por edhe i tërbuar me NATO-n për të cilën tha se "nuk kemi pasur kurrë nevojë", u shfaq Donald Trump para turmës në Phoenix.

Në fjalimin e tij në aktivitetin në shtetin e Arizonës, presidenti amerikan iu drejtua çështjes së Iranit dhe luftës, duke përsëritur shumë nga ato që ka thënë në të kaluarën.

Lidhur me hapjen e Ngushticës së Hormuzit , Trump tha se ishte "një ditë e madhe dhe e ndritshme për botën", pasi Ngushtica tani është "plotësisht e hapur dhe gati për biznes".

Ai theksoi, megjithatë, se bllokada detare ndaj Iranit do të mbetet në fuqi të plotë "derisa transaksioni ynë të përfundojë 100%".

Trump tha gjithashtu se negociatat "duhet të ecin shumë shpejt”. “Shumica e pikave janë negociuar dhe rënë dakord tashmë”, nënvizoi ai, por Teherani ka mohuar pretendimet e Trump, se pala iraniane ka rënë dakord për shumë, nëse jo për të gjitha, pikat.

Ndër të tjera shefi i Shtëpisë së Bardhë përsëriti se rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit do të transferohen në Shtetet e Bashkuara. "Ne do të bashkëpunojmë me Iranin për të rimarrë uraniumin e pasuruar, do ta sjellim atë shumë shpejt në Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Por sigurisht, Trump nuk harroi atë që i pëlqen ta përsërisë kaq shumë. "Unë kam përfunduar tetë luftëra, dhe nëse shtojmë Iranin dhe Libanin, do të jenë 10 luftëra që kanë përfunduar”, deklaroi ai.

Sakaq, Irani i është kundërpërgjigjur Trump përmes Kryetaritt ë Parlamentit, Mohammad Bayer Ghalibaf, i cili ka thënë se do ta mbyllin Ngushticën e Hormuzit nëse SHBA-të nuk e heqin bllokadën e porteve iraniane.

“Presidenti amerikan bëri shtatë pretendime brenda një ore dhe të shtata ishin të rreme. Ata nuk e fituan luftën me këto gënjeshtra dhe sigurisht që nuk do të arrijnë asgjë në negociata", shkroi Kryetari i Parlamentit Iranian në ‘X’.

Ghalibaf paralajmëroi se "me vazhdimin e bllokadës, Ngushtica e Hormuzit nuk do të mbetet e hapur". “Tranziti përmes Ngushticës së Hormuzit do të kryhet në një rrugë të specifikuar dhe me lejen e Iranit Hapja ose mbyllja e Ngushticës së Hormuzit dhe statusi i saj nuk përcaktohen përmes deklaratave në platformat e mediave sociale”, tha gjithashtu Ghalibaf.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)