Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, duke deklaruar se mes dy vendeve ka “shumë dakordësi” për çështje kyçe, përfshirë programin bërthamor.
Gjatë një prononcimi për gazetarët teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë, Trump theksoi se Irani ka treguar gatishmëri më të madhe për kompromis krahasuar me muajt e mëparshëm. Sipas tij, Teherani ka rënë dakord që të mos zotërojë armë bërthamore, duke e cilësuar këtë si një element thelbësor të negociatave.
“Shumë e rëndësishme është që Irani të mos ketë armë bërthamore dhe ata kanë rënë dakord për këtë. Kemi shumë dakordësi me Iranin”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se Irani është i gatshëm të dorëzojë materiale të lidhura me programin bërthamor, të cilat, sipas tij, ndodhen në thellësi të tokës, pas sulmeve të mëparshme të SHBA-ve ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Trump vuri në dukje se negociatat po zhvillohen në mënyrë pozitive dhe se Irani është i hapur për hapa që nuk do t’i kishte ndërmarrë dy muaj më parë. Ai hodhi poshtë gjithashtu idenë e një kufizimi 20-vjeçar për pezullimin e pasurimit të uraniumit, duke theksuar se marrëveshja synon të garantojë në mënyrë të përhershme që Irani të mos zhvillojë armë bërthamore.
Megjithatë, autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar publikisht këto pretendime të presidentit amerikan, ndërsa bisedimet mes palëve vijojnë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)