Aksident tragjik me tren në Austri, ndahet nga jeta ish-portieri i Juventus e Liverpool

48-vjeçari ndodhej në automjetin e tij kur u përplas nga një tren pranë Salzburgut, në një kalim hekurudhor pa roje.

16.04.2026. 22:41

Aksident tragjik me tren në Austri, ndahet nga jeta ish-portieri i Juventus e Liverpool

Futbolli ndërkombëtar është në zi pas lajmit për vdekjen tragjike të ish-portierit austriak Alex Manninger, i cili humbi jetën në moshën 48-vjeçare pas një aksidenti të rëndë me tren. Sipas raportimeve, ish-gardiani i disa klubeve të njohura, duke përfshirë Juventus dhe Fiorentina në Serie A apo Arsenal e Liverpool në Premier League. Ai ndodhej në automjetin e tij kur u përplas nga një tren pranë Salzburgut.

Makina e tij u tërhoq për disa metra zvarrë nga treni, ndërsa përplasja rezultoi fatale. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:20 të mëngjesit, në një kalim hekurudhor pa roje, pranë stacionit Pabing. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe provuan t’i japin ndihmën e parë, madje duke përdorur edhe defibrilator. Por, të gjitha tentativat rezultuan pa sukses.

Në tren ndodheshin rreth 25 pasagjerë dhe drejtuesi i tij, të cilët fatmirësisht nuk pësuan lëndime. Ndërkohë, shkaqet e sakta të aksidentit mbeten ende të paqarta dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat. Me urdhër të prokurorisë, një ekspert është ngarkuar për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes, duke analizuar të dhënat elektronike të automjetit dhe trenit, si dhe funksionimin e sinjalistikës në vendin e aksidentit.

Gjatë karrierës së tij, Manninger ka qenë pjesë e disa skuadrave në Europë dhe regjistronte 33 paraqitje me kombëtaren e Austrisë, duke marrë pjesë edhe në Euro 2008. Pas tërheqjes nga futbolli në vitin 2017 pas aventurës te Liverpool, ai u largua nga sporti dhe ishte rikthyer në profesionin e tij të mëparshëm si marangoz.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)