PD anulon “Foltoren”, planifikohet mbështetja e protestës së “Koalicionit për Familjen”

Kreu i demokratëve, Sali Berisha njoftoi ndryshimin e mundshëm të planit, teksa inkurajon çdo hetim për çështjen e Zvërnecit.

01.06.2026. 11:51

PD anulon “Foltoren”, planifikohet mbështetja e protestës së “Koalicionit për Familjen”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se aktiviteti i përjavshëm “Foltorja” mund të mos zhvillohet këtë të hënë. Ai bëri të ditur se opozita po shqyrton mundësinë për t’iu bashkuar protestës së organizuar nga “Koalicioni për Familjen”.

I pyetur nëse do të ishte në “Foltore” apo në protestën e paralajmëruar për në të njëjtën orë, Berisha tha: “Do të diskutohet, sot ka disa aktivitete, kemi disa probleme. Është dita e fëmijëve, por ‘Koalicioni për Familjen’ ka vendosur, më thonë se edhe ai do bëjë një protestë. Dhe shanset janë që ne të mbështesim sot protestën e ‘Koalicionit për Familjen’. Sepse, është 1 qershori. Ju e patë që, po kjo do njoftohet”.

Berisha kritikoi ashpër qeverinë lidhur me politikat që lidhen me trajtimin e çështjeve të identitetit gjinor tek të miturit. “Ju e patë se në ç'mënyrë kriminale, perverse, Edi Rama me Salën, me këtë ministren, vendosën që të përdorin terapinë për ndryshimin e gjinisë tek 14-vjeçarët. Jashtë çdo lloj kriteri, qoftë biologjik, qoftë social dhe qoftë të përgjegjësisë. Kjo është t'ia rrëmbesh prindërve fëmijën nga gjiri i tyre. Mosha më ideale është mosha e përgjegjësisë, 18-22 vjeçare. Çdo veprim para kësaj moshe është një atentat në identitetin njerëzor. Dhe unë shpreh solidaritetin tim me ‘Koalicionin për Familjen’”, tha kreu i demokratëve.

Në të njëjtën dalje për mediat, Berisha u pyet edhe për hetimin e nisur nga SPAK lidhur me dyshimet për tjetërsim pronash në Zvërnec. Ai deklaroi se mbështet çdo hetim të organeve të drejtësisë. “Inkurajoj çdo hetim. Pa asnjë diskutim, veçse në rastin konkret, qeveria që firmos, qeveria duhet ta ketë të qartë se një ligj e detyron atë që të respektojë çdo pretendim të vërtetë lidhur me pronësinë, pasi është shteti që i ka dhënë investitorit dokumentet për të bërë projektin”, përfundoi Berisha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)